Letra e ditës

Jam panseksuale dhe për shumë kohë, e urreja veten!

Shkruar nga Anabel

30 Gusht 2019

Jam panseksuale dhe për shumë kohë, e urreja veten!

Përshëndetje Anabel. sapo lexova letrën e postuar anonim të atij djalit gay. Ishte ai që më frymëzoi të ndaj dhe unë historinë time. Dua që gjithashtu të mbetem anonim. Unë nuk jam gay, por jam panseksual. (Shën.red. Panseksual/e – përsa i përket romancave nuk e kufizojnë zgjedhjen e tyre bazuar te seksi, gjinia dhe orientimi seksual).

Nuk e di nëse e keni dëgjuar ndonjëherë, por me pak fjalë do të thotë që tërhiqem nga karakteri dhe mendja më shumë se sa fizikisht.  Nëse i pëlqej karakterin atëherë trupi s’është problem për mua.

Që e vogël e dija se diçka ishte ndryshe, por s’e shprehja sepse e dija që tallesha ose dhe më keq, do ushtronin dhunë mbi mua.  Të them të drejtën, as unë s’ja kisha idenë çfarë ishte kjo. Kisha një shoqe të ngushtë në gjimnaz me të cilën luaja gjithmonë dhe herë pas here më vinte ta përqafoja apo puthja.

Sa herë e shihja, doja ta bëja për vete. Nuk e kuptoja pse, thjesht dija që e pëlqeja.  Më dukej shumë e çuditshme vetëm për faktin që të tjerët do më tallnin dhe shoqëria ime s’do ta pranonte një gjë të tillë.

Pëlqimi im i parë ishte një vajzë, pikërisht si unë. U mundova ta mohoja, ta harroja, ta fshija, por s’munda. Vitet kalojnë dhe ne jemi akoma shoqe, por jo të afërta. Ndjenjat e mia u zbehën dhe nisa të pëlqej djem. Diçka e tillë ishte lajm i mirë për mua.  Por sërish, sillesha çuditshëm edhe kur ndodhesha në një ambjent me vajza.

Në dhomat e zhveshjeve do të ulja gjithnjë sytë poshtë, më vinte turp nga vetja dhe pse luftoja për të tjerët. Gjithmonë urreja veten. E dija që nëse do t’ja tregoja dikujt do dilte fjala dhe jeta ime do shkatërrohej. Mendoja për shoqërinë. Do të më urrenin. Po prindërit? Do zhgënjeheshin.

Gjatë gjithë jetës jam munduar të vrapoj prej vetes dhe gjatë gjithë jetës e kam urryer aq shumë sa kur dilja para pasqyrës më dukej vetja një qënie e shëmtuar dhe e shpifur. Madje, arrita në një pikë sa po lija edhe veten të abuzohesha nga të tjerët.

Mbuloja trupin se mendoja që do t’ua shpifja të tjerëve me të. Kam tentuar shumë herë t’i jap fund, por kam frikë nga dhimbja. Mendova të pija disa kokrra, por kur dëgjova zërin e sime meje nga dhoma tjetër, m’u dhimbs.

Kjo histori ka shumë kthesa, por unë po mbaj timonin tek stacioni i seksualitetit tim. Unë jam panseksuale dhe s’më vjen më turp. Sërish, nuk është diçka që e ndaj dot me të gjithë sepse shoqëria jonë është e tillë. Unë nuk jam vrasëse apo përdhunuese.

As nuk i kërkoj askujt të jetë si unë.  Nuk ka qenë rrugëtim i lehtë,por sot jam e lumtur që kam pranë njerëz që më bëjnë të lumtur dhe kanë parë të bukurën brenda meje. Kur e mësuan për herë të parë, u shokuan, por sot më thonë se panseksualiteti im është një nga veçoritë e mia më të mira.

Jam krenare për veten dhe e dua trupin tim. Jam e lumtur që mund të dashuroj këdo, pa përjashtim. Të gjithë kemi zemra që rrahin dhe përveç të tjerave ato janë e njëjta ngjyrë dhe kanë të njëjtën detyre.

Shënim*: Kjo letër ka mbërritur në inbox-in e Instagram-it Anabel_Hostel, nga një vajzë, e cila preferoi të mbetej anonim.