Për mendimin tonë

Mjerë të huajt që jetojnë në Shqipëri

Shkruar nga Alberta Kamenica

5 Nëntor 2019

Mjerë të huajt që jetojnë në Shqipëri

Kur një shumicë dërrmuese e shqiptarëve synojnë dhe bëjnë çmos për të jetuar jashtë, disa të huaj kanë fatin e keq të jetojnë në Shqipëri. Sidomos të huajt që popullojnë Përfaqësinë Evropiane të filmit “Ndërkombëtarët.” Ata vuajnë më shumë nga të gjithë. Në Shqipëri, të hanë delen fqinjët, të spiunon kamarieri, mishi s’ka ngjyrë, pastruesi të pallon gruan dhe ambulanca vonohet më shumë se një avion charter nga Spanja. Jo të gjithë kanë këllqe të jetojnë këtu.

“Ndërkombëtarët,” bazuar në librin “Rrëfenjë me ndërkombëtarë” i Ylljet Aliçkës vjen në ekranin e madh me skenar të këtij të fundit dhe Pluton Vasit, i cili gjithashtu realizoi regjinë. Filmi u xhirua rreth tre vite më parë, pati premierën para një viti e gjysmë dhe më në fund vjen në kinema. Dje pata mundësi ta shoh dhe sot kam mundësi t’ju them ç’shije më la.

Në qendër të fabulës është Roshi, luajtur nga Eni Shehu, një shqiptar i punësuar në Përfaqësinë Evropiane. Ai përjeton gjithë kalvarin e burokracive, bërrylave, hapave para dhe pas në karrierë, dashurisë në zyrë dhe arrin të shohë nga afër gjithë figurat që shteti shqiptar mitizon dhe ngre në piedestal, thjesht sepse janë të huaj dhe “e dinë çfarë thonë.” “Ndërkombëtarët” përshkruhet si komedi e zezë dhe kur e mbaron, kupton që është. Respekti me të cilin trajtojmë përfaqësuesit e huaj në vend është aq i ekzagjeruar, sa prek absurdin.

Kjo dinamikë mes vendasve dhe të huajve e shtyn Roshin të shkruajë një komedi që e vë në skenë në teatër ku demonstron sa qesharake është marrëdhënia dhe sjellja e këtyre përfaqësuesve që punojnë e banojnë në Shqipëri. Natyrshëm, kjo nevrikos Përfaqësinë që si çdo institucion tjetër në botë s’i pëlqen ta shohë të vërtetën në sy. Filmi hapet me mbylljen, një rrezik që shpërblehet në përfundim të minutazhit.

Ngjan interesante apo jo? Në shqip, nuk ekzistojnë shumë filma me këndvështrim politik, edhe pse ka burime të pashtershme frymëzimi. Prandaj isha entuziaste kur lexova përshkrimin e “Ndërkombëtarët.”

Por, për fat të keq, një koncept i freskët dhe intrigues si ky nuk ekzekutohet siç duhet. Si puna e komunizmit. I shkëlqyer ne teori, jo dhe aq në praktikë. Vetëm se në dallim nga komunizmi, që e dimë ku çalon, te “Ndërkombëtarët” nuk ia vë dot gishtin gjësë që nuk shkon. Mund ta quaj një mungesë rafinimi, sikur gabimisht nisën produksionin e draftit të tretë në vend të atij përfundimtarit dhe askush s’e vuri re.

E njëjta gjë vlen edhe për performancën e aktorëve. Nuk shohin të gjithë në të njëjtin drejtim dhe si rrjedhim, një performancë është shumë komike, një është shumë dramatike, një është shumë jetësore, një s’është aktrim fare. Sikur regjisori të tregohej pak më imponues, personazhet do të shfaqeshin më të kopsitur.

Detaji i preferuar në film, që shpresoj të ketë qenë i qëllimtë, është dialogu i personazheve të huaj, ndërtuar në sintaksën e gjuhës së tyre mëmë. Edhe pse ka personazhe anglezë, spanjollë, grekë, ata flasin në shqip në film. Por, për të bërë dallimin nga personazhet me kombësi shqiptare, teksti ngjan sikur është përkthyer fjalë për fjalë nga gjuha mëmë. Për shembull, një grua angleze thotë, “Më grabitën, djalë,” që s’përdoret rëndomë në shqip. Por në anglisht, “I was robbed, lad,” është shumë e natyrshme. Kështu, nëpër dialog viheshin re kundrinorë të tepërt, rrethanorë në vendin e gabuar etj.

Gjithashtu, me skenografinë dhe kostumografinë është bërë një punë e mirë, pasi as njëra dhe as tjetra nuk ta vret syrin. Kur diçka nuk shkon, është e pamundur mos ta vësh re.

“Ndërkombëtarët” nuk mund të klasifikohet si një film i keq. Ndoshta sfidues do të ishte një term më i përshtatshëm. Prej fabulës konfuzuese, kërkon një grimcë më shumë vëmendje dhe nëse nuk ju intrigon sadopak politika në kinematografi, zor t’ju duket interesant si realizim.

“Ndërkombëtarët” mund ta shihni çdo ditë në Cineplexx në TEG, në orën 21:45