"Përshëndetje, gëzohem shumë që më në fund lamë një takim. Unë jam Arbri, kjo është gruaja ime, Sonila dhe duam që të bëjmë shtëpinë. As unë, as ajo s’marrim vesh nga dekori apo arkitektura dhe na u duk zgjedhje më e zgjuar të kërkonim ndihmën e një eksperti, të dikujt që e di çfarë bën. Atëherë, shtëpia është 2+1, ka vetëm një banjë dhe..."
Këtu të ndërpret arkitekti që ke para sepse sapo mori gjithë informacionin që i duhej. Nis procesi “Ja si e ka bërë filani, ja si do e bëjmë ne.”
Kjo është dhoma e ndenjies së një familjeje të shtresës së mesme në Ohio. Mund të jetë e jotja.
Kjo është kuzhina e një moderatoreje gjermane të The Travel Channel. Ajo nuk rri në shtëpi shumicën e kohës sepse udhëton, por kuzhina mund të jetë e jotja.
Ky është korridori i një VIP-i jo dhe aq të rëndësishëm në Liban. Edhe kjo mund të jetë e jotja.
Kjo është banja e George Clooney-t në shtëpinë e tij të pestë, më duket. Fare mirë mund të jetë.
Dhe kjo është dhoma e gjumit të gjithë botës. Të gjithë kanë një si kjo.
Kështu, arkitekti të tregon njëra pas tjetrës shtëpi, apartamente, studio, hotele, aeroporte nga gjithë botë dhe të krijon idenë se gjithë këto stile do të funksionojnë më së miri në shtëpinë tënde. Nëse ngjan e ashpër kjo që po themi, ky është për fat të keq realiteti.
Siç e vuri në dukje edhe Deamishel Hoxha dje, që është vetë arkitekte, nëse drejtohesh nga Pinteresti për të përfunduar një projekt, ke dështuar. Për çfarë studiove pesë vite, nëse ditën që del në zanat thjesht vjedh dhe implementon të njëjtat ide që qarkullojnë prej aq shumë kohësh, sa s’quhen më ide, por norma.
Çfarë duhet bërë është në fakt shumë e thjeshtë. Mjafton të ulesh me klientin dhe – bëhuni gati – të dëgjosh. Qëllimi i një shtëpie është të jetohet, të jetë praktike, të magazinojë dhe klienti e di shumë mirë çfarë i duhet. A kalon shumë kohë në shtëpi, a gatuan, a fton shpesh njerëz, a ka sende që duhen magazinuar, a ka nevojë për garderobë të zgjeruar, a ka fëmijë dhe a do të bëjë fëmijë, a punon nga shtëpia e kështu me rradhë. Para se të fokusohen te dekori minimalist me foto gjethesh dhe citate të Bukowskit, arkitektët duhet të kujdesen së pari që shtëpia t’u shërbejë të zotëve. Dhe këtë, nuk ke si e bën në Pinterest sepse çdo klient është ndryshe.
Sidoqoftë, atë që ta mëson përvoja, s’ta mëson dot shkolla. Vijini veshin mamit apo nënës kur flet për shtëpinë. Gjasat janë që ka bërë shtesa, ka prishur mure, ka ndërtuar dollape e ka ngushtuar banja sepse i kuptoi me vonesë nevojat që kishin. Për të mos gabuar si të parët, mjafton të jeni të vëmendshëm. Për shembull, nëse hani shëndetshëm, do të keni nevojë për një vend ku të magazinoni perimet, zahiretë, reçelrat etj. Nëse punoni nga shtëpia, do të keni nevojë për një kënd të dedikuar, që ju lejon të përqëndroheni. Nëse do të bëni fëmijë, keni nevojë për një dhomë për ta dhe për orendi që nuk përbëjnë rrezik për të vegjlit. Nëse jetoni me dikë me aftësi ndryshe, shtëpia duhet t’i përshtatet atij përmes faciliteteve të ndryshme.
Nëse arkitekti nuk ju pyet mbi këto nevoja, por hedh sytë nga punët e botës sepse ngjajnë të bukura në foto, ikni me vrap. Seriozisht. Shtëpia juaj do të ngjajë shumë bukur, patjetër, por do të jetë e pajetueshme, që është gjithë qëllimi i një shtëpie!
Sigurisht, arkitekti që të dëgjon duhet të ekzekutojë atë që dëgjoi. Në të kundërt, e vuani si Marsi Pojani, që ua bëri jashtëzakonisht të qartë si e donte pasqyrën në banjë dhe përfundoi me diçka që s’ka aspak lidhje.
Sado të mos merrni vesh nga arkitektura dhe dizajni, tregohuni vigjilentë dhe mos lejoni askënd, as atë që ju bëri kokën të ngjisë në mur një tablo që lexon “Live, Laugh, Love.”