Koment mbi komente

Mos u çudisni nëse prindërit shqiptarë sillen kështu

Shkruar nga Anabel

9 Nëntor 2019

Mos u çudisni nëse prindërit shqiptarë sillen kështu

Për shkak të disa faktorëve, si mënyra e rritjes, raporti me prindërit dhe prejardhja kulturore, është gati e pamundur të ketë një manual të caktuar për prindërimin. Megjithatë në një sondazh të Anabel, pjesa dërrmuese votoi se është ose mendon se do të jetë prindi “tërhiqe e mos e këput” ose prindi i lidhur fort me fëmijën.

Siç mund ta shihni në vijim, 42% votuan për prindin “tërhiqe mos e këput” që është një lloj ndërthurje e prindërimit autoritar dhe tolerant.

Një prind i tillë vendos rregulla dhe kufij të qartë, ka pritshmëri për fëmijën, e dëgjon atë dhe përgjithësisht reagon me qetësi. Sigurisht që kërkon kohë dhe durim në mënyrë që të arrihet një lloj komunikimi ku të dyja palët, pra prind-fëmijë, të dëgjohen.

Ekspertët thonë se një prind i tillë ka më shumë gjasa të rrisë fëmijë pa probleme me shëndetin mendor dhe sjellje të rrezikshme.

Me një diferencë të vogël, në vend të dytë renditet prindi që është i lidhur fort me fëmijën. Ky lloj prindërimi bazohet te lidhja e fortë, qoftë kjo edhe fizike, me puthje e përqafime të vazhdueshme. Një prind i tillë i përgjigjet ose përpiqet t’u përgjigjet nevojave të fëmijës dhe mundohet ta bëjë atë të ndihet i sigurt.

Sigurisht që si pasojë e këtij lloj prindërimi, që ka në bazë komunikimin e vazhdueshëm, fëmijët rriten më të pavarur, kanë më pak stres, janë empatikë dhe në gjendje të kontrollojnë emocionet.

Përsa i përket pjesës tjetër, 10% janë prindër tolerantë, 6% autoritarë, ndërsa një përqindje e vogël janë të fiksuar dhe neglizhentë.

Mos u çudisni nëse prindërit shqiptarë sillen kështu