Original

Ju njohim me kryeprokurorin e ri bukurosh të vendit

Shkruar nga Anabel

14 Nëntor 2019

Ju njohim me kryeprokurorin e ri bukurosh të vendit

Teksa Panorama, CNA, Top Channel me shokë fokusohen te karriera e Kryeprokurorit të Përgjithshëm të sapozgjedhur, Olsian Çelës, pasuria e tij ndër vite dhe “dosjet e nxehta” që ka kaluar ai nëpër duar, ne fokusohemi te të tjera gjëra të nxehta: vetë prokurori. S’është hera e parë që objektivizojmë burra; pa u menduar fare na vijnë ndërmend "Burrat më seksi në Shqipëri për 2019-n" dhe ky artikull, që ka thjesht foto seksi të Nik Xhelilajt. Është një punë që duhet bërë dhe e morëm vullnetarisht përsipër.

Për fat të keq, nuk e dimë kur është lindur Olsian Çela, por syri ynë i mprehtë (lexo: i pastërvitur) mendon që është Dem. Çela ka drejtuar Prokurorinë për Krimet e Rënda për katër vite, nga 2008-2012 dhe ka hetuar dosje të rëndësishme si çështja e Mirit të Xhikes, dosjen e trafikut nga grupi “Kompas” dhe ndër të tjera, dosjen “Xibraka.” Duke parë rreziqet që ka ndërmarrë, Çela ta bën të qartë që është sypatrembur, karrierist dhe i përkushtuar.

Ju njohim me kryeprokurorin e ri bukurosh të vendit

E dini çfarë është tjetër? Është beqar. Ngjan thuajse e pabesueshme që dikush në moshën dhe pozitën e Kryeprokurorit të mos ketë dikë pranë, por ja që ndodh. Aq më tepër kur duket që nga fotot që mban era burrë. Era burrë nga ata që të shoqërojnë me biçikletë në shtëpi, nga ata që blejnë tek trëndafil nga gratë që i shesin në kryqëzimet e qytetit, nga ata që fare mirë mund të ketë qenë aktor në një film të viteve ’80, nga ata që thotë “çfarë” në vend të “ça.”

Doni dhe diçka tjetër? Çela nuk është përfolur kurrë negativisht as profesionalisht, as financiarisht. Që do të thotë se nuk vjedh, nuk korruptohet, nuk abuzon me detyrën. Çmenduri! Që kur ekzistojnë pushtetarë të tillë? Madje, Çela, gjatë deklarimeve të pasurisë, shumë shpesh ka deklaruar vetëm rrogën si prokuror, se aq kishte. Pastaj trashëgoi ca prona, arkëtoi ca bono thesari, nxorri në dritë ca kursime e kështu. Por mos u alarmoni. Janë normale. Imagjinoni të keni në krah një burrë besnik ndaj ligjit. Imagjinoni sa besnik do ishte ndaj jush.

Ju njohim me kryeprokurorin e ri bukurosh të vendit

Kërkojmë ndjesë për mungesën e fotove, por Çela i përket një brezi tjetër që nuk e ndjen nevojën të ndajë me botën çdo moment të ditës. Ai s’ka as Instagram, as Facebook, as Snapchat e ç’janë këta të rinjtë që kanë dalë. Nëse doni ta shihni, merreni në telefon, lini një takim. Si në antikitet.

Ndoshta po shkelim aty ku s’duhet, por ndoshta Çela duhet të marrë në konsideratë Mira Kazhanin... Janë të dy beqarë, në sytë tanë shkojnë dhe pse jo? Një jetë kemi. Kështu bëjmë të lumtur dy njerëz që gjejnë dashurinë dhe Jul Dedën, që jeton në një pellg të thellë hidhtësie.