Nëse keni qenë të vetëdijshëm rreth një dekadë e pak më parë, duhet ta mbani mend se çdo adoleshent i takonte një bande hip-hop-i. Ishte OTR, Babastars, Banda Butuesi dhe TBA. OTR, me Noizy-n në krye, ishte më popullorja, por edhe më e tallura për arsye ende të pastudiuara. Le t'ua lëmë fajin tatuazhëve të kurorës nëpër duart e anëtarëve. Me kalimin e viteve, OTR u harrua. Deri para pak ditësh. Që prej të martës, të jesh OTR është cool prapë.
Bebe Rexha and Noizy deserve the world.
— big anxh (@anxhelique) November 28, 2019
My first dance at my wedding will be to 100 Kile
— big anxh (@anxhelique) November 28, 2019
sorry we don't skip noizy in this car
— oui (@gocaabelit) November 29, 2019
Noizy ishte dhe është një nga artistët më të angazhuar në dhënien e ndihmave për të prekurit e tërmetit. Ai u fokusua sidomos në Durrës, që është qyteti i tij i lindjes. Kjo video e reperit, që mbush pjata me makarona, u bë virale dhe fitoi zemrat edhe e atyre që s’ua merrte mendja që një ditë do bëheshin fansa të Noizy-t.
View this post on Instagram
Njerëzit patën të njëjtën dashuri edhe për Bebe Rexhën, që deri më sot, konsiderohej si më pak e preferuar në krahasim me artistet e tjera shqiptare me famë ndërkombëtare. Pasi u nevojit bullizmi që Dua Lipa t’i kushtonte një fije vëmendje viktimave të tërmetit dhe pasi Bebe dhuroi qindra mijëra euro dhe premtoi të vinte personalisht, shqiptarët e patën menjëherë më të qartë kë duhet të mbështesin. Qarkulluan tek-tuk edhe thirrje për bojkotimin e Sunny Hill, por Sunny Hill është për bamirësi, kështu që s’e shohim avantazhin e këtij veprimi. Po kështu, të gjithë u siguruan të shfaqnin mbështetjen dhe dashurinë për gjithë figurat si Capital T, Mozzik, Ermal Fejzullahu etj. që u impenjuan dhe e përdorën influencën e tyre për të mbledhur fonde për të viktimat.
Kot dmth per informacion, mbreme Mc Kresha dhe Lyrical Son qe i mburrni kaq shume kane qene ne koncert, e Noizy ka qene duke gatuar makarona ne mes te ftohtit :)
— indie movie with a budget (@pinxmani) November 28, 2019
Nëpër hapësirën sociale shqiptare vihet re edhe nxjerrja në pah e atyre që nuk u impenjuan, që vijuan me jetën e tyre si normalisht në një moment kaq të vështirë. Sërish, përmendim Dua Lipën që kërkonte Nemon nëpër det deri kur u nxit të bënte diçka, Melinda Ademi promovoi koncertin e saj dhe u detyrua të mbyllte komentet e fotos në Instagram. Rreth e rrotull pyetet për emra të caktuar, si për shembull Buta a Getoar Selimi, a po bëjnë gjë ata në këto ditë tragjedie? Ky moment në kohë mund të jetë fillimi i asaj që njihet si cancel culture, kultura e anullimit, ku një personazhi të njohur i bie reputacioni sepse bëri gjënë e gabuar apo në këtë rast, nuk bëri asgjë.
Ndoshta në Amerikë është e stërbërë dhe njerëzve u ka ardhur në majë të hundës, por në Shqipëri është fiks momenti. Nuk mund t’u falim të njëjtën dashuri njerëzve që s’japin qoftë diçka të vogël për kombin në ditë të vështira. S’mund t’u japim më dashuri njerëzve që përhapin urrejtje për minoritetet a që shfaqin mungesë respekti për viktimat e përdhunimit. Ndoshta duhen anulluar ca njerëz.