Një artikull, me të cilin u ndesha rastësisht teksa kërkoja diçka në lidhje me përdhunimin në internet, më risolli në vëmendje videon e realizuar nga Hostel by Anabel në bashkëpunim me UN Women. Kisha menduar ta trajtoja ndryshe videon e realizuar me rastin e fushatës kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave, por tragjedia e 26 nëntorit e la pak në “harresë”. Megjithatë ja tek jemi sërish.
Siç mund ta shihni në vijim, Alberta Kamenica dhe Deamishel Hoxha, pyesin kalimtarë të rastit se cila nga vajzat në foto mund të jetë përdhunuar referuar një situate hipotetike. Reagimet e të intervistuarve, ku pjesa më e madhe janë vajza, qenë të pabesueshme.
Si për ironi të fatit, ajo që më solli në vëmendje sërish videon, është pikërisht një ekspozitë me rrobat e të përdhunuarve, e cila daton afro dy vite më parë në Sint-Jans-Molenbeek në Belgjikë. Plot 18 veshje të ndryshme: rroba për fëmijë, pantallona dhe bluza, tuta sportive, uniforma policie, pulovra të trasha, të brendshme etj.



Në fakt, nuk është hera e parë që në një farë mënyrë njerëzit përpiqen të justifikojnë përdhunimin, herë me fjalinë “ajo donte vetë” dhe herë me veshjen. Por meqë jemi te veshjet, ndalemi këtu. Nuk është aspak çudi që viktimave të dhunës seksuale u drejtohet pyetja: "Çfarë kishe veshur kur të përdhunuan?".

Histori shqiptare, të mbërritura në inbox-in e Revista Anabel për vite me radhë (të cilat mund t’i gjeni në fund të artikullit) kanë treguar se përdhunimi s’ka pasur kurrë të bëjë me veshjen dhe është e trishtë të mendosh sesa lehtë njerëzit përpiqen të justifikojnë a lehtësojnë sadopak fenomenin. Dua të përmbyll me deklaratën e një qytetari në moshë, i cili në videon e Hostel by Anabel thotë me gjithë sinqeritet: “Asnjë [nga vajzat nuk është përdhunuar]. Nuk [duhet] të përdhunohet asnjë”. Nëse përdhunimi do të ishte çështje vjeshjesh ekstravagante e provokuese, çdo gjë që do të ishte shumë më e thjeshtë.
Historitë ndër vite të mbërritura në inbox-in e Anabel në lidhje me temën e përdhunimit:
Histori të viktimave të dhunës (nëntor, 2014)
Historia që do doja ta harroja (dhjetor, 2014)