Letra e ditës

Babai im është armiku im

Shkruar nga Anabel

11 Dhjetor 2019

Babai im është armiku im

"Babai im është armiku im? E pyes shpesh veten, e kam pyetur veten për vite me radhë.

Sot që jetoj në një shtëpi timen e s’jam më aq e vogël sa të besoj në mitin e babait hero, them se ka qenë ai që më ka konsideruar gjithmonë si armiken e tij. Historia fillon me lindjen time. Ai donte djalë, që t’i vinte emrin e të atit. Iu prish qejfi kur pa se unë isha vajzë. Më ka lënë dy muaj pa emër nga inati. Gjithë jetën vetëm më ka qortuar, me inat madje, sikur të kishte diçka që nuk shkonte me mua. Asgjë që bëja s’ishte e duhura për të. Edhe fakti që i ngjaj më shumë mamit s’i shkonte poshtë.

Vazhdon të më trajtojë si armike edhe sot, si fëmija që nuk i hyri kurrë në zemër. Në adoleshencë shtrydhja trurin për të gjetur çfarëdolloj mënyre për t’i bërë qejfin: duke gatuar diçka që i pëlqente, sillesha në mënyrë shembullore, mësoja në shkollë që ai të krenohej etj. Ashtu si në përralla, ai do të kthehej në babain shok, hero, në babain që kishin shoqet e mia. Po kjo s’ndodhi as atëherë e as sot që është i moshuar.

Ai vazhdon të jetë i vrazhdë me fjalë e gjeste, edhe pse unë përkujdesem për të. Shepsh dëshiroj ta refuzoj si prind, të mos i flas më kurrë. Aq i tepërt është lëndimi që më shkakton. Ndoshta shumë prej jush do të mendojnë se ai është një nga ata burrat me mentalitet të ngushtë, patriarkal, i pashkolluar që të justifikojë këtë sjellje. Por jo, s’ka asnjë nga këto. Gati gjysmën e jetës sime e kam shpenzuar duke u ndjerë fajtore, megjithëse fajin s’e gjeja kush e kishte.

Prindërit nuk zgjidhen, ashtu si fëmijët  - që t’i modelojmë si duam." 

Shkruar nga një grua anonime. Botuar për herë të parë në prill 2015