Kur isha fëmijë shihja gjithnjë një ëndërr të përsëritur. Në fakt ishte makthi më i keq. Më dukej sikur unë dhe dy vëllezërit e mi ishim derra të vegjël që vraponim të frikësuar nëpër pyjet pranë shtëpisë. Ti ishe dinosauri që na ndiqje teksa ne vraponim për të shkuar tek ishulli përtej liqenit, ku ndodhej ajo që na mbronte (nëna jonë).
Kurse në realitet të mbaj mend si tiran gjatë gjithë fëmijërisë time. Momentet në shtëpi ishin të mbushura me frikë. Një ditë, kujtoj se më godite aq fort sa nuk për vite me radhë pas shkolle, ulesha mbi pllakën e dushit dhe qaja. As shkolla nuk ishte vend ku gjeja paqe. Pasiguria dhe ndrojtja më bënë të bija thjesht pre e talljeve nga shokët.
Nuk të vë faj, por dua që të kuptosh se si veprimet e tua kanë ndikuar tek unë. Ato vitet që kam shpenzuar e fshehur në dhomë, teksa dëgjoja kërcitje dhe ulërima. Gjithmonë e pyesja veten pse kam kaq mllef brenda, pse jam kaq e dëshpëruar për aprovim dhe vlerësim. Pse kur më injorojnë ndjej inat, urrejtje...Tani e kuptoj që gjithçka më ka ndodhur falë teje.
Ndoshta edhe sepse jeta ime s'ishte ajo që unë prisja. Ndoshta, po të isha më e lumtur kjo letër s'do ishte shkruar tani. Por jam e sigurt se e di rrënjën e problemeve të mia: rritja me frikë!
Ti talleshe me mua që kërkoja dashurinë dhe kujdesin e nënës sime. Më shihje si të dobët. Nëna jote vdiq kur ti ishe 5 vjeç dhe jo, s'e di si mund të jesh ndjerë dhe as sa të vështirë e ke pasur.
Çfarë di me siguri është që s'e ke pranuar kurrë dhe s'je përballur me realitetin. Madje as nuk kërkove ndihmë.
Ndjenjat e tua të thella të humbjes dhe dhimbjes dilnin në sipërfaqe mbrëmjeve, gjatë darkave familjare dhe në vend që të kuptoje që shkaku ishte trauma, fajsoje veten. Urreje veten dhe mbillje vetëm zemërim.
Tani s'jam më ai derrkuci i vogël i frikësuar. Eshtë e vërtet që edhe e kam ndjerë atë urrejtje brenda meje, por pendohem kaq shumë! Unë të paktën, po punoj për të ditur kujt t'ja atribuoj atë që jam sot, kush janë fajet e mia dhe se si veprimet që bëj ndikojnë tek njerëzit që dua.
Ti s'e bëre këtë dhe s'do ta bësh kurrë. Tani e shoh që ti je ai dinosauri që po lutet për dashurinë që i morën shumë vite më parë. Do të doja vetëm të kishe guxim ta pranoje dhe t'i lejoje vetes të ishe i lumtur.
Kjo letër është përshtatur nga The Guardian