Një javë më parë, një menaxhere nga një departament tjetër, gjithashtu mikeshë e imja, më mori në zyrë për të më thënë se unë mbaj erë.
U tregua shumë e sjellshme dhe ishte e qartë që ndihej në siklet. Mendoj se e prita mirë fillimin e bisedës. Unë jam shumë e ndjeshme ndaj produkteve të aromatizuara (më shkaktojnë kruajtje dhe njolla) dhe së fundi, ndërrova deodorant pasi ai që përdorja nuk prodhohet më. Produktet pa aromë nuk janë edhe aq efektivë dhe e dija. Sidoqoftë, ajo më tha se era ime është problem i vazhueshëm dhe kishte arritur në atë pikë sa ishin interesuar disa kolegë (sipas saj nga shqetësimi) dhe se ma kishin përmendur menaxheri im i dikurshëm dhe menaxheri i departamentit.
Këtu fillova të trembem. Më kujtohen mirë situatat që përmendi ajo dhe asokohe s’u trajtuan si problem i vazhdueshëm apo i përhershëm. Për sa i përket incidentit me menaxherin e departamentit, një ditë isha vonë për në punë dhe kisha harruar bluzën e uniformës. Kisha vetëm një bluzë që e gjeta në bagazhin e makinës. Menaxherja më tha që s’vija erë e mirë dhe ngaqë ishte shtatzënë, e ndjente shumë. U futëm në një dhomë, hoqa bluzën dhe i kërkova t’i merrte erë bluzës dhe pastaj mua. Më tha që e kishte fajin bluza. Pyetëm shoqen time menaxhere që më mori mënjanë dhe sipas saj, gjatë atij incidenti ma bënë të dukshme që mbaja erë.
Pati një tjetër incident të ngjashëm me një tjetër menaxher. Një ditë, shkova në punë me një bluzë të butë që kishte ndenjur gjatë natës në lavatriçe. Nuk e kuptova që mbante erë deri kur fillova të lëvizja. Incidenti i parë ndodhi në janar të vitit të shkuar. I dyti në qershor. Kjo do të thotë se aroma e trupit tim ka qenë problem për thuajse një vit dhe askush s’më ka thënë gjë.
Unë bëj dush çdo ditë, vë deodorant, i laj çarçafët një herë në javë dhe e mbaj veten për të pastër. Jam kaq e turpëruar që kolegët flisnin për mua pas krahëve, por askush s’më konfrontoi. Mund të kisha bërë diçka, por tani thjesht jam në siklet dhe e pasigurt për veten. Nuk kam guxim t’i flas kujt në punë. Kolegët më pyesin nëse jam mirë sepse nuk sillem më si vetvetja.
Kam filluar të përdor produkte të aromatizuara sërish gjatë ditëve të punës dhe produkte pa aromë në fundjavë. Nuk di si të ndihem mirë apo rehat në punë.
Nga një grua anonime për The Cut