Për mendimin tonë

È finita: Alketa Vejsiu e fitoi Italinë

Shkruar nga Sindi Salaj

9 Shkurt 2020

È finita: Alketa Vejsiu e fitoi Italinë

Në prag të përfundimit të natës së pestë të Sanremo 2020, por edhe pas përfundimit të saj, teksa rrjeti “vlonte” për një sërë çështjesh – si Amadeus-i që hyri në skenë duke imituar Maria De Filippi-n, puthja e Tiziano Ferro-s dhe Fiorello-s, Piero Pelù i cili mori çantën e një zonje në sallë, skandali në skenë i Bugo dhe Morgan, të cilët u skualifikuan më pas apo parashikimet se kush do të fitonte edicionin e këtij viti – në Twitter, por edhe në rrjetet e tjera sociale, Alketa Vejsiu, e pranishme në skenë në natën e tretë të festivalit, vazhdonte dhe vazhdon të komentohet nga italianët.

Teksa në Shqipëri një pjesë e njerëzve dhe mediave merrej me monologun “aspak aktual” të Alketës, faktin që gaboi kur tha se ishte e vetmja prezantuese grua e Festivalit të Këngës apo debatin në prapaskenë për katër minutat kur mesa duket (gjithmonë duke aluduar), Alketa foli më shumë seç ishte parashikuar, italianët, dhe këtu e kemi fjalën edhe për mediat, personalitetet e njohur (si Ambra Angiolini) apo njerëzit e thjeshtë, e pëlqyen jashtëzakonisht shumë.

Pati komente me humor, nxitur nga fakti që Alketa fliste tepër, tepër shpejt, aq sa e krahasuan me Bonolis, pati njerëz që pëlqyen lirshmërinë e saj në skenë dhe mbi të gjitha, pati njerëz që jo vetëm e pëlqyen, por e panë si pjesë të tyre dhe siç mund t’i lexoni te postimi në fund të artikullit, disa kërkojnë që “Alketa të rikthehet për të bërë emisionet italiane”.

“Entuziaste dhe tepër e shpejtë në të folur, prezantuesja shqiptare Alketa Vejsiu ishte një nga surprizat e Sanremo 2020 dhe të enjten në mbrëmje, kur zbriti shkallët e Ariston, pushtoi skenën 'e mbizotëruar’ nga Amadeus,” shkroi në një artikull Il Corriere. Disa portale të tjerë e cilësuan si “uragan”, ndërsa për italianët e thjeshtë ishte një ndër të preferuarat, referuar intervistave të realizuara në rrugë nga Vanity Fair Italia.

“Alketa Vejsiu një befasi,” shkruhet në Twitter. “Ku mund të aplikoj për t’i dhënë një program italian Alketës,” lexohet diku tjetër. “Alketa duhet të kishte prezantuar në orën 9, në vend të Georgina Rodriguez.” “Monologët më të mirë për mua ishin ai i Rula Jebreal dhe Alketa Vejsiut. Përveçse thanë fjalë të mrekullueshme dhe të vërteta, të cilat nuk duhen harruar kurrë, më bënë krenare që jam grua,” shton dikush.

E meqë jemi te monologu, duhet thënë se është një tjetër çështje me rëndësi, ku edhe këtu pati përplasje Shqipëri-Itali referuar komenteve. A mund të bëhej më mirë? Po, patjetër. A mund të kishte qenë më aktual? Po, por jo detyrimisht. Monologu i Alketës, me në qendër emigrimin dhe lidhjen e fortë të shqiptarëve me Italinë, ishte një përjetim i saj personal, ashtu si ai i Rula Jebreal për dhunën ndaj grave, nxitur nga tragjedia e nënës së ndjerë. Ndoshta për Shqipërinë nuk u duk fort aktual, në një kohë kur ne s’jemi më populli që ëndërron të largohet me anije drejt Italisë, ama për italianët ishte ndoshta një “shuplakë” për politikën e Salvinit, që ka mbajtur një qëndrim të fortë ndaj emigracionit. “Muzika fshin kufijtë dhe bashkon popujt dhe kombet,” tha ajo në një moment, nëntekst ky që u duartrokit nga italianët.

Nëse u entuziasmua më shumë seç duhet dhe “vodhi” për pak minuta gjithë vëmendjen e Amadeus-it, le ta mirëkuptojmë emocionin e një njeriu që punon prej 20 vitesh për një ëndërr. Alketa nuk u gjend rastësisht në Itali, siç e kemi theksuar në një tjetër artikull. Gjithë idhujt e saj, kontaktet dhe emisionet që ka sjellë në Shqipëri, kanë pasur në të shumtën e rasteve lidhje me Italinë.

Nëse përpiqemi të mos i ngarkojmë Alketës përgjegjësi që nuk i takojnë, do të shohim se në një farë mënyre na ka përfaqësuar më mirë seç na i merr mendja. Alketa Vejsiu hyri në skenë jo si gruaja e dikujt, jo si velinë, jo si personazh i njohur i mediave italiane, por si një prezantuese shqiptare, e cila prej 2 dekadash punon dhe investon në Shqipëri. Alketa duhet parë si histori suksesi e një njeriu që e nisi nga hiçi dhe gjithë karrierën ia dedikoi një ëndrre, ëndërr të cilën e realizoi në Sanremo ku menjëherë u njoh dhe “u përqafua” nga italianët. Me uljet dhe ngritjet e saj, me gabimet dhe lapsuset, me gjërat që mund të ishin bërë më mirë, Alketa përfaqësoi në Itali veten, por edhe imazhin e një Shqipërie që ka ndryshuar, e një Shqipërie që “lëviz” e të një shqiptari që nuk e kërkon Europën më si dikur për t’ja nisur nga zero, por me punë dhe përkushtim rritet profesionalisht në Shqipëri dhe e përdor Europën si një hap krejt natyral drejt një ambicieje më të madhe profesionale dhe personale.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by @vipscreen on

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by @vipscreen on