Original

Luana Vjollca nuk është Barbie

Shkruar nga Anabel

15 Shkurt 2020

Luana Vjollca nuk është Barbie

Dikush i shkroi gazetares Zhaklin Lekatari – e cila është pjesë e jurisë që përzgjedh konkurrentët e “Take me out Albania” – se duhet ta mësojë pak atë Barbie-n të prezantojë. Me stereotipin e kukullës së famshme që supozohet se thjesht është e bukur dhe s’di të bëjë asgjë, komentuesi i referohet Luana Vjollcës. Ndalemi pak te arsyet pse Luana Vjollca nuk është një Barbie.

Besimi i Top Channel

Prej tre vitesh, Luana ka një program primetime që dëshmon besimin që Top Channel ka te fuqia e saj. Jo më kot, dy vite më parë, si rrallëherë në Top Channel – ku pavarësisht eksperiencës, shumë moderatorë nuk janë identifikuar me një program specifik – Luanës iu besua autorësia e “Shiko kush luan” së bashku me Blendi Salajn. Sezoni i dytë dhe i tretë pati si autore vetëm Luanën dhe sa i suksesshëm rezultoi, do ta analizojmë më vonë.

Shtojmë gjithashtu se për tre vite, më 1 janar, kohë kur të gjithë janë pothuajse para televizorit, Top Channel ia ka besuar audiencën emisionit special të Luanës dhe nuk është përgjegjësi aspak e vogël. Ndryshe nga Tv Klan që e ka ndryshuar spektaklin vit pas viti, prej tre vitesh Top Channel preferon Luanën.

Të paturit një program të qëndrueshëm

Besimi që Top Channel ka te fuqia e Luanës nuk është aspak rastësor. Nëse shohim shikueshmërinë në YouTube, “Shiko kush luan” renditet si programi më i klikuar pas “Portokallisë”. Gjithashtu Luana, momentalisht moderatorja më e ndjekur në Instagram me më shumë se 1.7 milionë klikime, u rendit e dyta pas Arbana Osmanit në një sondazh të Anabel.al në lidhje me pyetjen “Kush mendon se mbretëron në orarin e darkës” dhe u rendit e para përsa i përket pyetjes “Kush meriton 10 me yll për sezonin televiziv 2019?”.

Gjej çfarë di të bësh dhe bëje mirë

Qëndrueshmëria e “Shiko kush luan” ka spikatur nëse e krahasojmë me programe të tjera, si për shembull “Xing me Ermalin”. Ndryshe nga Mamaqi, i cili deklaroi në “Soiree” se u shkëput nga televizioni sepse “pati një konsum të jashtëzakonshëm të personazhit të tij”, “Shiko kush luan” nuk pësoi luhatje nga njëri sezon në tjetrin. Sigurisht që krahasimi mund të mos jetë i duhuri, megjithatë sidoqoftë tregon se programi i Luanës e ka arritur qëllimin e vetë. Shtojmë që kritikat për emisionin kanë qenë përgjithësisht për ndonjë deklaratë të personazheve (gjë e pashmangshme kjo) jo për formulën në vetvete.

Take me out Albania

Vetëm pak muaj pas përfundimit të “Shiko kush luan”, Luana rikthehet sërish, këtë herë me “Take me out Albania”. Referuar çfarë tha në Instagram, ajo ka autorësinë e plotë nga FremantleMedia për të sjellë formatin në Shqipëri. Programi duhet të jetë një tjetër sfidë për moderatoren sepse në vendet ku është transmetuar ka rezultuar jashtëzakonisht i suksesshëm.

Luana, që e nisi karrierën si velinë në studion e “Fiks Fare”, u kthye në as-in nën mëngë të Top Channel, i cili në një kohë kur televizioni po përqëndrohet gjithnjë e më shumë te pjesa entertainment (argëtuese), e ka tashmë Luanën edhe një dritare promovuese. Është koha të themi që në vetëm tre vite, Luana u kthye në brend më vete brenda Topit.