U njoha me gruan kur ishim në të njëzetat tona dhe u lidhëm shkurtimisht pasi u njohëm. U fejuam kur ishim 26 dhe u martuam vjeshtën e kaluar.
Kur u takuam për herë të parë, ajo ishte e ve. E njihte ish burrin që kur ishin fëmijë (e ëma ishte dadoja e burrit) dhe ishin bashkë që në klasë të shtatë. U martuan 18 vjeç. Ai vdiq në një aksident me makinë kur ishte 20, pak kohë para se ajo të njihej me mua.
Kur filluam të dilnim, ajo e vuante ende vdekjen e atij, kalonte në panik dhe mbyllej në banjë e qante. U tregova mirëkuptues, e ngushëlloja, por ajo kërkonte ta lija vetëm. Përgjatë viteve, vuajtja u pakësua dhe tani s’e përmend më fare.
Shën Valentinin tonë të parë bashkë, i bleva çokollata dhe lule. I pranoi dhe më tha se e vlerësonte gjestin, por për të, Shën Valentini ëshët një festë komerciale që s’i pëlqen. I thashë që për mua është një ditë për të shpehur dashurinë dhe do të doja ta festonim.
Pasi i mëshova sa munda, ajo më tha se s’donte ta festonte ngaqë e festonte me burrin e ndjerë. Mes tyre, festa nisi me letrat romantike që bën për të dashurin në fillore dhe evoluoi në darka të jashtëzakonshme. Rrjedhimisht, ata u martuan ditën e Shën Valentinit. Sa ishim lidhur asokohe dhe hoqa dorë nga Shën Valentini. S’u përpoqa më kurrë ta festonim.
Kjo na sjell në Shën Valentinin e këtij viti. Zot, më vlon gjaku kur e mendoj. Ishte Valentini i parë si të martuar dhe meqë ajo s’e përmend më kurrë burrin e ndjerë, mendova pse të mos e surprizojme lule? Kemi bërë kaq shumë progres. Marrëdhënia jonë është perfekte, e dua pafund dhe s’ka asgjë të keqe në shprehjen e ndjenjave apo jo? E kisha gabim. I çoj lule në shtëpi, një buqetë masive që shkoi 100 dollarë dhe asaj i ikën truri. Më tha se ishte e vetmja gjë që më kërkoi të mos bëja dhe un s’e resepktova dëshirën e saj.
M’i merr lulet nga dora dhe del me furi nga apartamenti pa veshur këpucë. E ndjek. Ajo nis të ulërasë me sa ka në kokë dhe i hedh lulet në kosh. E lënë gjunjët, bie në tokë dhe fillon të qajë si e çartur. S’e kisha parë kurrë kaq keq. Ulem në tokë me të, e përqafoj dhe i kërkoj falje. Me kalimin e minutave u qetësua, u kthyem në apartament. Kalojnë ca orë dhe bëj një gabim edhe më të madh.
Ajo po punonte në laptop kur e pyeta, “E do akoma? Unë jam thjesht tjetri?” U pendova për fjalët që thashë në momentin që më dolën nga goja. Do të doja të mos i kisha thënë kurrë. S’kishim folur për burrin e saj të ndjerë që kur u lidhëm në fillim. Por nuk doja ta injoroja më gjatë. Po më vriste ideja, duhet ta pyesja. S’mu përgjigj. Asnjë fjalë. Asgjë.
Unë nevrikosem edhe më shumë. E di që duhet të kisha ruajtur qetësinë, por nuk munda. I bërtas, i kërkoj një përgjigje. Ajo ngrihet dhe nis të paketojë me rroba një çantë të vogël udhëtimi. E pyes ku po shkon. Asnjë përgjigje. Heq unazën e fejesës dhe të martesës (ato që i dhashë unë) dhe i lë mbi komodinë. Aty e humbas. S’e ndjeja më trupin.
Burri i saj i ndjerë u dogj pasi vdiq dhe ajo mbajti vetëm unazën e tij të martesës. E ruante në një kuti të vogël në sirtarin e çorapeve. Marr kutinë, marr një çekiç dhe e bëj unazën e tij copë e çikë. I them që është e martuar me mua tani, s’më besohet që s’e ka harruar akoma. E tmerrshme, e di. S’ia kam idenë ç’po më shkonte në mendje. Ajo më lutet të ndaloj dhe unë ndaloj. Kuptova çfarë kisha bërë. S’isha vetvetja. S’ka mundësi. S’do e bëja kurrë diçka të tillë.
Ajo u largua. Iu luta të qëndronte, por jo. U përpoqa ta kontaktojme qindra herë, por e ka telefonin e fikur. Ose me ka bllokuar. Nuk e di. Mora në telefon prindërit dhe shoqet, asnjëri s’e di ku është. Ose të paktën s’më thonë mua.
E di që gabova. Çfarë mund të bëj për ta rregulluar situatën? A ka marrë fund martesa jonë? S’isha bërë ndonjëherë aq me nerva, nuk e di ç’më pushtoi. Ndoshta xhelozia. Kam përshtypjen se s’e përshkruaj dot. Nëse ai s’do të kishte vdekur, ata do të ishin akoma bashkë. Unë thjesht po i ruaj vendin. Ajo më ka trajtuar gjithmonë shumë mirë, s’më ka krahasuar kurrë me të. Është kaq puntore, trime dhe e çiltër. Më ka nxitur gjithmonë dhe më ka mbështetur të realizoj ëndrrat e mia. Ka qenë aty për mua kur kam dështuar.
Çfarë të bëj? S’mund ta humbas, s’e përballoj dot.
Burimi: Reddit