Gjatë dy javëve të fundit, Dr. Rashid Buttar ka folur për koronavirusin sa është lodhur. Sipas tij, udhëheqësit e korruptuar do ta përdorin krizën për të vendosur një sistem autoritar.
Por kush është Dr. Rashid Buttar?
Rashid Buttar është një mjek osteopatik nga Karolina e Veriut. Ai u diplomua në nivelin Bachelor në biologji dhe teologji nga Washington University dhe më pas u specializua në osteopati në Des Moines University. Ai është i certifikuar në Toksikologji Metalike Klinike dhe Mjekësi Parandaluese. Dr. Buttar ka punuar si kirurg dhe ka shërbyer si Drejtor Urgjence në ushtrinë amerikane. Libri i tij “Nine Steps To Keep the Doctor Away,” botuar në vitin 2010, u kthye në best seller. Ai është diskredituar disa herë për trajtime jo etike të pacientëve. Në faqen e tij zyrtare, ai ofron paketa informacioni që kushtojnë deri në 450 dollarë për të zbuluar gjithë të vërtetën në lidhje me koronavirusin.
Përveç videove që publikoi në kanalin e tij në YouTube, Battar mori famë edhe në media të tjera. Next News Network me në krye Gary Franchi përfitoi nga interesi që kishte publiku për Battar.
Kush janë Next News Network? Gjerësisht, konsiderohen si media konspirative dhe kanë një historik të pasur raportimesh të pasakta dhe të diskredituara.
Më 16 prill, Next News Network publikoi një intervistë me Dr. Rashid Buttar, në të cilën ai tha se “nuk është regjistruar asnjë vdekje si pasojë e virusit që shkakton Covid-19.” Buttar tha se rregullat e distancimit social “kundërshtojnë çdo aspekt logjik të shkencës dhe mjekësisë.” Sipas tij, në spitale aktiviteti është i dyshimtë dhe se nëse dikush ka bërë vaksinë për gripin, rezulton mbartës i Covid-19. Të gjitha këto aludime janë hedhur poshtë nga burime të besueshme
Më pas, Buttar e quajti kreun e task forcës së koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë, Dr. Anthony Fauci, “kriminel” dhe “tradhtar” dhe sugjeroi se medikamenti kundër malaries, hidroksiklorokinë, “ka të paktën 99% efikasitet në trajtimin e Covid-19 dhe se janë trajtuar me qindra, qindra pacientë, nga të cilët ansjëri s’ka vdekur." Sipas Buttar, pandemia është një “alarm i rremë për të bërë vaksinat e detyrueshme” dhe për të internuar ose karantinuar personat që refuzojnë. Ai la të kuptohej se “kullat 5G” dhe “gjurmët e avionëve” kanë lidhje me virusin. Shtimi i vaksinave dhe 5G do t’i bëjë njerëzit të sëmuren më shumë, tha ai.
Buttar përmendi dhe një teori konspirative që aludon se Bill Gates do t’i monitorojë vaksinimet duke “futur mikroçipe në trupat e atyre që janë vaksinuar” si pjesë e një “cikli që do të përsëritet deri sa të digjitalizohen të gjithë dhe të gjithë të kenë mikroçipa.” Buttar i quajti udhëzimet e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve në Amerikë “një idiotësi” dhe një “mashtrim për të vendosur kush duhet të punojë dhe flasë dhe kush duhet të përdoret si disident ose kush duhet të klasifikohet si disident për t’i mbyllur gojën.”
Më pas, Buttar shpjegoi teorinë e tij me protagonist Bill Gates dhe e akuzoi se ka një “axhendë shpopullimi.” Ai aludon se miliona njerëz do të lëndohen nga vaksinat, “por do t’ia vënë fajin Covid-19.” Ai shtoi se “kushdo që mendon se vaksinat janë të nevojshme, është ose 100% injorant ose kanë synime të fshehta.”
Intervista e Dr. Buttar u fshi nga YouTube sepse shkeli rregullat e tyre me bazë keqinformimine shikuesve, por mund ta shihni të ringarkuar më poshtë.
Në Facebook, videoja është parë me miliona herë dhe është shpërndarë në grupe që kundërshtojnë teknologjinë 5G. Teoria e Buttar i shtyu përdoruesit ta klasifikojnë pandeminë si të rreme.