Një rast i tmerrshëm, në kufijtë e të pabesueshmes, u bë publik së fundmi në Fiks Fare. Referuar bisedave dhe regjistrimeve të siguruara nga emisioni, vajza nga Saranda, vetëm 17 vjeç, abuzohej seksualisht nga i ati dhe shokët e tij. Prindërit nuk i zgjedhim dot ndaj, për fat të keq, nuk është hera e parë që lexojmë për veprime që shkojnë kundër të logjikshmes, por sidoqoftë sikur të mos mjaftonte kjo, reagimi i shtetit është i pabesueshëm. Për të qenë më të qartë se për çfarë po flasim, po paraqesim në vijim një përmbledhje të gjithë ngjarjes, referuar transmetimeve në Fiks Fare.
17-vjeçarja pretendon se është abuzuar seksualisht nga i ati dhe shokët e tij, mes tyre edhe një person i quajtur Bajo. I ati, e pranon që i ka sjellë shokët në shtëpi dhe i thotë se nuk do të ndodhë më. Debati mes tyre, pjesë e të cilit është edhe e ëma, e cila në dukje është në dijeni të veprimeve të bashkëshortit, përshkallëzon në dhunë fizike, verbale dhe psikologjike dhe 17-vjeçarja dhunohet. Deri këtu, me siguri që do të pyesni me të drejtë se pse vajza nuk e denoncon? Mbërrijmë në çështjen e dytë.
I dashuri i 17-vjeçares, nga rrëfimet që ajo i ka bërë, shkon edhe denoncon ngjarjen në polici. Ai u thotë policëve se i ati abuzon seksualisht me të bijën dhe e shfrytëzon për përfitime monetare dhe materiale (raki) duke lejuar që shokët ta përdhunojnë. Gjatë bisedës me policët, kuptohet që nuk është hera e parë që i dashuri i saj denoncon rastin në fjalë, por ata nuk e kanë marrë në konsideratë. “Ka ardhur para tre vjetëve dhe nuk e kanë përfillur, i kanë thënë ‘ik qërrohu’. Vajzë e papërfillur, e varfër,” thotë ai në një moment.
Gjatë gjithë bisedës mes tyre, nga ana e policisë nuk ka asnjë reagim, përkundrazi i thonë djalit të heqë dorë nga kjo çështje dhe “ajo ka babain, e di ai çfarë bën”. “Vajza ka prindër,” thotë gjatë gjithë kohës inspektori i policisë, që mesa duket nga njëri vesh i hyn dhe nga tjetri i del fakti që pretendohet se (edhe) babai është përdhunues.
Në një tjetër video, policia shkon në banesën e vajzës sepse i ati i saj dyshonte se i dashuri mund ta rrëmbente. Policia nuk flet me vajzën që mes ulërimash kërkon të flasë. Gjatë bisedës, i thonë që nëse ajo nuk rri urtë, “do ta çojnë në spital dhe do marrë në qafë edhe djalin”.
Rasti tronditës i kaloi Qendrës së Mbrojtjes së Fëmijëve në Sarandë, e cila nisi hetimin. Bajo, shoku i babait, u arrestua dhe pranoi që kishte abuzuar seksualisht me vajzën. Në hetim janë edhe persona të tjerë.
Pyetjes se “si mundin dy prindër të abuzojnë në të tillë forme?” vështirë t’i japim përgjigje, por mund të hedhim sytë nga shteti. Është e vërtetë që policia nuk kontrollon dot gjithmonë se çfarë ndodh brenda mijërave shtëpive, por a e justifikon kjo mospërfilljen e inspektorëve? Në 2020-n, një i rritur, një person që mban post drejtues në një nga organet që ka synim të sigurojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve, guxon edhe thotë “e di vetë babai se ç’bën”. Po, vërtet dhuna dhe përdhunimet ndodhin (edhe) brenda mureve të shtëpisë, por për të disatën herë, muret sërish nuk kanë veshë.