Eja shohim pak Tv

Psikologia pa licensë që shokoi opinionin publik

Shkruar nga Anabel

9 Qershor 2020

Psikologia pa licensë që shokoi opinionin publik

Për shkak të disa problematikave të cilat i kemi trajtuar në artikullin “Trajtimi mediatik i abuzimeve seksuale ka rëndësi, por sa profesionalisht po trajtohen?" vendosëm në diskutim se si duhet të trajtohen situata të ngjashme dhe deri ku mund të ndërhyjë media përmes transmetimit të fakteve, deklaratave dhe akuzave të personave të përfshirë në ngjarje. Rasti i Adrianës, 27 vjeç, fitoi vëmendje të madhe jo vetëm nga ngjarjet tronditëse për të cilat ajo pretendon se i kanë ndodhur, por edhe për reagimin e Antonjeta Peros, e vetëdeklaruar si psikologe e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër.

Deri në këto momente, Shtëpia e Fëmijës, një institucion shtetëror që u vendos nën akuza të rënda, sërish, nuk ka reaguar për rastin në fjalë. Antonjeta Pero pretendon se ka punuar dhe punon prej kohësh në këtë institucion dhe në Facebook-un e saj ka postuar disa deklarata të cilat mund të jenë shumë gjëra, përveçse deklarata të një psikologeje.

Në një status, Pero shkruan se “mllefi i fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijës është se pse prindërit i kanë lënë në instituciuon dhe vetë ata (prindërit) jetojnë me tjetërkënd. Por kjo, do kapacitet të kuptohet”. Është e paqartë se çfarë nënkupon Pero me “kapacitet” pasi s’do shumë mend që të mirëkuptohet kompleksi ose trauma që mund të përjetojë një fëmijë që rritet pa prindërit e shpeshherë bëhet viktimë e dhunës fizike, psikologjike dhe seksuale – raste të dokumentuara në media këto – por a është “mllef” termi i duhur? Për një psikologe, nga ana profesionale flasim, jo.

Në një tjetër status, ajo shkruan se “kur kanë diskutuar marrëdhëniet seksuale me të mitur, u ka sqaruar të gjithë fëmijëve se përdhunimi është operacion pa narkozë”. Çfarë do të thotë “operacion pa narkozë”? Një operacion pa narkozë mund ta bëjmë të gjithë, çfarë do të thotë kjo që përdhunimi është normal? Që është dhimbje fizike? Edhe në këtë pikë, Pero dëshmon paaftësi në shpjegimin e fenomeneve sepse në fjalë më të thjeshta përdhunimi është marrëdhënie seksuale pa miratimin e njërës palë, qoftë ky/kjo burri/gruaja, i/e dashuri/a ose kushdo tjetër i njohur ose i panjohur.

Referuar të dhënave në Facebook, Pero ka shërbyes si ish-drejtoreshë ekzekutive në një organizatë joqeveritare, ka studiuar në “universitetin e mësuesisë” (kështu shkruhet, është e paqartë se për çfarë fakulteti bëhet fjalë) dhe ka studiuar për “psikologji dhe punë sociale”.

Po të njëjtat ide ajo i shpalosi edhe në media, në një intervistë për “Kafe Shqeto”, ku ndër të tjera shkaktoi shumë paqartësi nëse është mësuese apo psikologe, sepse u referohet fëmijëve si “nxënës”. Gjatë komunikimit të saj, Pero hedh poshtë akuzat e Adrianës duke shkelur gjithashtu edhe rregulla të etikës profesionale, nëse është psikologe/mësuese gjithmonë, duke e konsideruar Adrianën “si një fëmijë me inteligjencë nën mesatare për moshën”.

Po të njëjtin argument që shkroi në Facebook tha edhe në “Kafe Shqeto” ku sipas saj “nuk është e mundur që një fëmijë të përdhunohet dhe të mos bëjë zë për këtë veprim”. Një argument i tillë vështirë të përdoret nga një psikologe, ku supozohet që të di të gjitha mënyrat se si mund të reagojë një fëmijë/i rritur ndaj një traume si përdhunimi. Akuza për ngacmim ose abuzim seksual bëhen edhe pas dhjetëra vitesh (rasti Harvey Weinstein) sepse përdhunimi nuk është “operacion pa narkozë” që harrohet kur shërohet plaga.

Përsa i përket rastit të rojes, për të cilin Adriana pretendon se e ka përdhunuar, Pero thotë se nuk është në dijeni për cilin roje, mirëpo nga ana tjetër flet me siguri që pas Adrianës fshihen persona të tjerë që kanë përfitime mediatike/politike ndaj Shtëpisë së Fëmijës dhe po e përdorin 27-vjeçaren. Se për çfarë përfitimesh Pero nuk di të flasë, “sepse ia ka lënë rastin drejtësisë”.

Çfarë e bën të paqartë gjithë këtë bujë mediatike është edhe fakti që në Urdhrin e Psikologut, Pero nuk rezulton në regjistrin e licensimit dhe as në regjistrin e anëtarësimit gjë që është konfirmuar edhe nga Urdhri i Psikologut të Qarkut Shkodër. Në Facebook, u shkrua: "Duke marrë shkas nga qëndrimi personal publik i Znj. Antonjeta Pero, me statuse në rrjete sociale apo në media të ndryshme, ju bëjmë me dije se Znj.Pero nuk ka qenë apo është anëtare e Urdhrit të Psikologut dhe as psikologe e licensuar, konformë ligjit 40/2016, neni 7. Sa më poshtë, respektojmë çdo mendim, opinion, qëndrim të çdo shtetasi të Republikës, por në asnjë kohë, duke mbartur mbi vete titull i cili më parë jepet nga Urdhri si organ i ngarkuar me ligj.”

Një individ që ka mbaruar studimet në fushën e psikologjisë mund të shërbejë i palicensuar në profesionin e psikologut vetëm gjatë një viti praktikë dhe gjithmonë nën mbikqyrjen e një psikologu të licensuar. Pero, mbi 60 vjeç, u shpreh se ka vite që punon në atë institucion dhe e njeh Adrianën që fëmijë.  Siç e thamë më sipër, asnjë përfaqësues i Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër nuk ka dhënë një deklaratë publike për rastin në fjalë dhe nuk ka sqaruar nëse Pero ka punuar në institucion siç pretendon dhe nëse po, pse pa licensë?