QUIZ

Test: Si përfundim, çfarë bëri Turi?

Shkruar nga Anabel

12 Qershor 2020

Test: Si përfundim, çfarë bëri Turi?

Shumë gjëra mund të ndodhë që të ndryshojnë ose të harrohen nga Matura Shtetërore 2020 – ndoshta ndodh një mrekulli dhe maturantët zbulojnë se kanë dalë shumë më mirë sesa presin, ndoshta ndodh rivlerësimi i testit të gjuhës dhe letërsisë, ndoshta ekspertët zgjohen një ditë dhe kuptojnë që mund të kishin bërë më mirë, ndoshta vendosin ta aplikojnë të njëjtin test edhe në maturat e ardhshme e më the e të thashë. Por kurrsesi nuk mund të harrohet Turi.

Për herë të parë në një provim të gjuhës shqipe dhe letërsisë, u paraqit një person – në këtë rast me emrin Turi – që lundronte me barkë së bashku me tre miqtë e tij. Flitet për një situatë “aksioni”, pak të paqartë, jo vetëm për maturantët, të cilët e kthyen në meme pas provimit dhe e përdorën edhe si pankartë në protestën para Ministrisë së Arsimit, por edhe për njerëzit e tjerë. Nuk e dimë çfarë është më e paqartë: Alternativat e ngjashme dhe lehtësisht të përdorshme apo qëllimi i një situate të tillë në një provim gjuhe dhe letërsie. Sidoqoftë, ç’bëri Turi? Të shohim nëse jeni në një mendim me shumicën.

Test: Si përfundim, çfarë bëri Turi?

Situata: Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer, ndërsa katër njerëzit që ndodheshin në të, bërtisnin nga euforia. Zemrat e tyre rrihnin fort, ndërsa manovronin me shkathtësi lopatat përmes ujërave të trazuar. Madje edhe Turi, i cili fillimisht ishte ndier i shqetësuar në lidhje me udhëtimin në barkë, e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të. Papritur, ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara.

Test: Si përfundim, çfarë bëri Turi?
Shënim: Kjo është foto që qarkullon nëpër rrjet, e publikuar nga vetë nxënësit, pasi Qendra e Shërbimeve Arsimore nuk e ka publikuar testin dhe skemën e vlerësimit.

Pyetja: Cila nga fjalitë e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër?

Alternativat:
A) Duke u përqëndruar, Turi u përpoq të kujtonte procedurën e saktë për ta kthyer barkën në një pozicion të sigurt.
B) Ndërkohë, uji i ftohtë i lumit vazhdoi të përplasej në anët e barkës duke i bërë qull Turin dhe miqtë e tij.
C) Turi e dinte që ai dhe miqtë e tij ishin të përgatitur për t’ia dalë në situata të tilla.
D) Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati e përmbysi barkën.