Original

Çfarë uji i ke dhënë gomarit?

Shkruar nga Anabel

25 Korrik 2020

Çfarë uji i ke dhënë gomarit?
Lura Elezi /Photo Courtesy of Edvina Meta

Krahina të ndryshme e kanë këtë “lojë” që nuk bën tjetër veçse të ngatërron në një loop përsëritëse, në zbavitje të asaj/atij që po drejton lojën.

-Çfarë uji i dhe gomarit?

- Të ngrohtë.

- E pse të ngrohtë? (Tak, shkulet veshi.)

- Jo, jo të ngrohtë. Me kripë!

- E pse me kripë? (Tak, veshi.)

- Jo jo ujin e përjetësisë i dhashë.

- E ç’na duhet gomari i përjetshëm? (Të dyja veshët, në dorë.)

Përgjigja është gjithmonë e gabuar. Prandaj dhe zbavitet vetëm ajo/ai që e dikton lojën. Asnjëherë s’më është dukur zbavitje, e s’do më duket as tani që më zbavit vetëm Candy Crush. S’di pse loja m’u kujtua pikërisht kur një e afërmja ime u dyshua se ishte pozitive me Covid-19, pasi kolegu i saj kish' rezultuar pozitiv.

Ajo bën kujdesin që bëjnë të gjithë njerëzit e përgjegjshëm. Alkool në duar, maskë në çantë ose poshtë mjekrës gati për ta ngritur në ambiente të mbyllura me njerëz, “konichiwa” apo “namaste” për përshëndetje, gjithmonë vetëm në ambient të hapur! Në zyrë shkon rrallë, me turne dhe nuk para shkëmbehet me kolegët e të njëjtës dhomë.

E po të gjitha përkujdesjet e saj u shumëzuan me zero, përfshi dezinfektantin e saj Hello Kitty që të gjithëve u jep buzëqeshje. Madje dhe nga ata të njohurit e saj trima që deri dje thoshin “s’ka virus” dhe pastaj kur rrethi u ngushtua tepër, kaluan në “virus ka, por po na e fusin forcat madhore (me përralla të sofistikuara nga doktorë të delegjitimuar)”. Pikërisht këto trimnesha e trima, kur virusi erdhi te zyra ngjitur… Të paaftë për të menaxhuar shëndetin mendor dhe instiktet, nxjerrin lopatën direkt e për ta varrosur shoqen, pavarësisht e ka a s’e ka virusin. Që në fakt, po ta mendosh, nuk duhet të ketë pikën e lidhjes a e ka a s’e ka. 

“Dea PSE KE ARDHUR NË PUNË??”- pisket njëra nga fundi i korridorit me maskë me hundë jashtë.

“… Sepse nuk jam me pushime dhe kam radhën??”

“Dea, PSE E PREKE ÇIPIN???”- Ia plas tjetri 10m larg, pa maskë fare.

“Mmm se punoj këtu dhe po s’u pa që kalova gishtin, më pritet dita e punës”?

Meqë dyshohet se ka Covid-19 sepse kolegu e pati, ajo përzihet për shtëpi, e frikësuar jo nga virusi dhe aq, po nga fytyra tejet e shëmtuar e të gjithë njerëzve që kanë dëgjuar për kolegun dhe tani e donin në shuttle për Mars One shoqen time. I tregon rrugës të dashurit, i cili pasi bëri pyetje ku vetëm donte të dinte sa i vërtetë është virusi në trupin e saj, ia preu shkurt në WhatsApp e as e mori në telefon për t’u interesuar mbi ndjenjat e saj në këtë ditë të ngarkuar.

E sipërpërmendura jeton me prindërit. Hyn në shtëpi duke u dridhur dhe i tregon mamasë. E cila, gjithashtu e papajisur me cilësi si “mbështetja”, “të bërit të ndihesh mirë”, apo “sensi i humorit” (aq i vyer në kohë të vështira), i numëroi të gjitha herët që ajo si mama ka supozuar që e bija s’ka larë duart, që ka takuar pacipshmërisht ndonjë shoqe darkave tashmë pa muzikë, që takon të dashurin e saj pas një pauzë 3 mujore, dhe sesi e bija nuk mendon sa duhet për prindërit dhe gjyshërit 2 kate më lart.

E dashura mike e imja, duke mos duruar dot më, ia plas vajit në dhomën e saj, duke mbledhur plaçkat duke mos ditur as vetë ku do të nisej. Ndërkohë i vjen e-mail nga burimet njerëzore (shtazore do të thoja unë, po kush më pyeti) ku i kërcënohet pa dashamirësi të mos kthehet në punë për 2 javë. As “shpresojmë të mos e kesh marrë virusin” e as “po e pate marrë, kalofsh lehtshëm”, e aq më pamundur “mezi presim të vish!”. 

Qyqaaaaaa!!! Dashke ti mezi presim të vish!

E pas 1 orë ku paketoi vetëm gjërat e gabuara që s’do e çonin 2 ditë as te hoteli i lagjjes, hyn babai në dhomë e duke “e lejuar të qëndrojë” e duke i treguar sesa keq e ndikoi mamanë kjo ndodhi e si Dea tani të ketë hallin e ndjenjave të mamit; paçka se të asaj, deri më tani, askush s’i pati në konsideratë. A thua se gjithë kjo ditë e tmerrshme i kish ndodhur prindërve, jo Deas. 

Po shoqja ime e dashur, e cila nuk di të përkujdeset për gomarin sepse nuk njeh lojën, deri tani i ka dhënë vetëm ujin e gabuar. 

E fryrë nga i dashuri, kolegët e së fundmi prindërit e pakujdesshëm, na njofton ne miqve në WhatsApp dhe shkruan në Facebook sesi do vetë-karantinohet pasi testin nuk ia bën njeri. Moria e njerëzve që s’e mendojnë dhe aq gjatë i shkruajnë “të shkuara” (nga çfarë?) dhe nxiton kolegia 50 e ca vjeç për të thënë direkt “të shkuara dhe ishalla s’ua ke ngjitur prindërve”.

Nuk ka mallkim më të madh në kohëra Covid-i sesa ankthi, lëmshi, paaftësia për të jetuar si njeri…Nga frika për të mos sëmurur prindërit, vjehrrit, dhe motrat e vëllezërit e tyre.

A thua se e bën dikush me dashje! Çfarë keqtrajtimi t’i thuash dikujt ashtu! Çfarë mungese konsiderate surratit!

Dikujt që s’dihet a e ka, e! Ne në WhatsApp, si miq të vërtetë, që e dimë veten të paktën, filluam të talleshim me të, t’i thonim si s’do kalonim kurrë nga lagjja e saj nga frika e Covid-19,  barsaleta të pisëta, dhe plane potenciale të një dite më të mirë. Aty, Dea u çlirua. Na tregoi dhe ajo memet e ditës, dhe foto të vetes duke hapur një kanaçe birrë të ftohtë.

Loja e gomarit nuk ka si del ndryshe përveç se nga një shoqëri thellësisht e papjekur, ku abuzimi emocional fillon shpesh në mënyrë të pavetëdijshme nga prindi i cili rrallë herë di të tregojë sa krenar/e është me ty, e  vazhdon me shumicën përreth që u vjen shumë vështirë të të përgëzojnë qoftë dhe për heroizmin që shkon e vjen në punë në rrethana distopike, apo që thërret ashensorin me brryl. 

Në këtë pandemi që na ra për pjesë të mbijetojmë, ka 2 shëndete që duhen ruajtur fort: I pari, eminenti është ai fiziku nga Covid19, dhe i dyti, po aq i rëndësishëm sa i pari, është shëndeti mendor.

Teksa pres që ta mundim këtë masë proteinore mbushur me ADN të padukshme të quajtur Covid-19, pres dhe që mbase kjo ndodhi e pazakontë na mëson të respektojmë shëndetin mendor, të mos fajësojmë njëri tjetrin për sende ku jemi të gjithë dëm kolateral, të tregojmë afrimitet, dashuri, krenari  ndaj familjarëve tanë, miqve dhe kolegëve… Duke e thënë fjalën e ëmbël qoftë dhe me zor si fillim. 

Ke për të parë si më vonë do dalë vetë, me shpirt.

--- Shkruar nga Lura Elezi, themeluese e blogut Laralara. Për shkrime të tjera, mund të klikoni këtu.