Mendja

Informacionet tmerruese të Dr.Google: Ja pse mund të jesh duke vuajtur nga kiberkondria

Shkruar nga Anabel

14 Gusht 2020

Informacionet tmerruese të Dr.Google: Ja pse mund të jesh duke vuajtur

Çfarë është kiberkondria?

Kiberkondria (cyberchondria) është përshkallëzimi i pabazuar i shqetësimeve në lidhje me simptoma të zakonshme referuar rezultateve të kërkimit në internet. Me përhapjen e internetit dhe informacioneve falas, të cilat janë larg nesh vetëm një klikim, është rritur numri i rasteve të njerëzve që përjetojnë kiberkondri. Me fjalë të tjera, është një ankth që e ka gjenezën te kërkimet në Google.

Studime të ndryshme kanë treguar se një pjesë e mirë e njerëzve përjetojnë ankth kur kërkojnë informacion për simptoma të caktuara në Google. Mjafton të kërkosh për “shkaqjet e dhimbjes së kokës” (që mund të jetë edhe thjesht mungesa e kafesë) dhe të përballesh me një mori informacionesh të cilat thonë “se mund të kesh kancer a sëmundje të tjera të rënda”. Ka raste kur këta njerëz refuzojnë trajtimet mjekësore nga specialistët, për shkak të informacioneve që lexojnë në internet.

Arsyet pse shqetësohemi gjithnjë e më shumë për shëndetin tonë:

1 – Historitë që lexojmë: Falë rrjeteve sociale, sot është më e thjeshtë që të marrim vesh se cili person vuan nga çfarë.

2 – Informacionet negative: Gjatë evolucionit, për qëllim mbijetese, truri i njeriut u përshtat për të patur më shumë ndjeshmëri ndaj informacioneve negative, sesa atyre pozitive.

3 – (Keq)informimi falas: Sipas një artikulli në New York Times, disa website që shfaqen kur kërkoni një simptomë të caktuar, ka të ngjarë t'ju tregojnë skenaret më të këqija dhe t'ju trembin për përfitimet e tyre financiare.

4 – Jetesa shqetësuese: Studimet tregojnë se përqëndrimi te qëllimet dhe arritjet e vendosura ndaj vetes e bëjnë jetën dhe përditshmërinë tonë më stresuese.

Çfarë të bësh kur përjeton një “sulm” kiberkondrie?

1) Mos ki turp nga vetja: Mos pretendo se nuk po përjeton ankth. Fol me një mik ose dikë të cilit i beson.

2) Dysho dhe vërteto: Pyete veten për vërtetësinë e informacionit që lexove, ngri pyetje dhe dëshmo pse nuk është i vërtetë.

3) Përqëndrohu te trupi: Merr frymë thellë. Kupto emocionet. Medito. Shko për vrap ose thjesht dëgjo muzikë.

4) Askush nuk është si ti: Kujto që keqinformimi në internet vjen edhe nga fakti se jo të gjithë njerëzit janë njësoj.

5) Vizitohu: Për të qenë më të qetë dhe për të shuar çdo dyshim, bëni një kontroll te mjekët specialistë për simptomat.

Burimi: Healthline