Të bërtiturit në një studio televizive dhe ndërprerja e komunikimit normal mes dy ose më shumë personazh përmes toneve të larta dhe pse jo fyerjeve nuk është diçka normale, ndaj jo më kot një pjesë e mirë e publikut është pozicionuar kundër Shqipes në “Për’Puthen”. Kundër saj janë shprehur edhe konkurrentë të tjerë, përfshirë këtu edhe opinionistin Arjan Konomi. Por nëse marrim të mirëqenë se Shqipja është 100% gabim, ka një detaj shumë të rëndësishëm ku në fakt, është publiku dhe vetë të pranishmit në emision që po gabojnë.
Shqipja mund të jetë shumë gjëra. Citojmë këtu komente online: E paedukatë. Fyen të tjerët. Nuk komunikon siç duhet. Bërtet gjatë gjithë kohës. Ose, siç edhe të tjerë njerëz shkruajnë, personi më real në emision. Sidoqoftë, rasti i saj ka shërbyer, si për ironi, për të kuptuar se sa të paedukatë dhe pa takt mund të jenë njerëzit përsa kohë përdorin shëndetin e saj mendor si diçka për ta fyer dhe e kthejnë në temë diskutimi në studio.
Shqipja mund të jetë person agresiv, me temperament të keq ose njeri që nxehet shpejt. Quajeni si të doni. Në rastin më të keq, kjo gjendje është pasojë e problematikave të shëndetit mendor dhe ka nevojë për psikologë ose psikiatër. Megjithatë nuk është mënyra më e mirë e mundshme që të diskutohet shëndeti i saj mendor në studio televizive me fraza me tone të larta të tipit, citojmë fjalët e opinionistit dje (12 tetor), “ti do një psikiatër e unë nuk jam psikiatër”. Konsulta me një specialist të shëndetit mendor duhet të jetë këshillë, jo fyerje. E nëse është këshillë, kurrsesi nuk mund të vijë me fjalë si “ti do një psikiatër”, aq më tepër në një studio televizive, përpara një audience të madhe nëse u referohemi klikimeve në YouTube.

Të sugjerosh terapinë me një psikolog ose psikiatër duhet që së pari të sigurosh një bisedë private dhe të presësh momentin e duhur. “Të sugjerosh terapinë është një temë delikate që mund ta bëjë këdo të ndihet i turpëruar ose jo komod, sidomos nëse biseda ndodh mes njerëzve të tjerë të pranishëm,” thotë Brandi Lewis e cila zotëron Reach Counseling Solutions në Karolinën e Veriut, një qendër praktikash këshillimi për shëndetin mendor. Ajo sugjeron që kjo temë të hapet privatisht, mundësisht pasi ndodh një situatë e caktuar, por duhet patur kujdes. Në asnjë moment, përmendja e psikologut/psikiatrit nuk duhet bërë në mes të një debati, si ai i Arjanit me Shqipen. Në shumicën e rasteve, kjo fjali thuhet si për të nënkuptuar që “diçka nuk shkon me ty” dhe nuk është aspak efektive nëse duam vërtet të ndihmojmë dikë.

“Është shumë e lehtë që dikush të ofendohet nëse u thuhet se kanë nevojë për mbështetje psikologjike,” thotë Christina Iglesia, një psikologe klinike e licensuar që ka filluar fushatën e shëndetit mendor #TherapyIsCool. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që njerëzit të tregohen të kujdesshëm kur përmendin specialistët e shëndetit mendor, sepse ndikojnë më tepër në përhapjen e stereotipeve për personat me problematika. “Unë do të të propozoja terapinë, sepse e shoh që po përpiqesh shumë në komunikim me...” është mënyra e duhur, pasi ai/ajo kupton se sugjerimi është këshillë, jo fyerje, dhe vjen nga shqetësimi ose kujdesi që personi tjetër ka për të.
Siç duket, mënyra e të thënit ka shumë rëndësi. Sigurisht edhe vendi ku thuhet. Duhet që njerëzit të tregohen të sjellshëm, me takt dhe dashamirësi. Një gjë e tillë mungon në komentet online.

Të shumtë janë njerëzit që e cilësojnë shqipen si “skizofrene”, njerëz që me gjasë nuk e dinë dallimin mes psikologut dhe mjekut psikiatër dhe në jetën e përditshme përmendin shëndetin mendor si fyerje ndaj dikujt. Ironikisht, mungesa e edukatës së Shqipes tregon një anë tjetër të medaljes – se sa e paedukuar është shoqëria jonë ndaj shëndetit mendor.