Femije

Të gjitha dëmet që prindërit u shkaktojnë fëmijëve duke i krahasuar me fëmijë të tjerë

Shkruar nga Anabel

15 Tetor 2020

Të gjitha dëmet që prindërit u shkaktojnë

Të krahasuarit e fëmijëve me të tjerë fëmijë, ku shpeshherë këta të fundit janë motrat dhe vëllezërit, duket se është një dukuri e përhapur te shumë prindër. Ndonëse në pamje të parë mund të duket si një krahasim aspak dashakeq, përsa kohë përdoret si një formë për të motivuar fëmijët, duhet thënë se ka më shumë efekte negative se pozitive. Në rastet më të këqija, krahasimet bëhen që të nxjerrin në pah mangësitë e fëmijëve në raport me të tjerët, gjë që sigurisht është sërish e gabuar.

Të gjitha dëmet që prindërit u shkaktojnë
Historitë e tjera mund t’i gjeni te Highlights në Instagramin e @anabel_media.

Në Instagramin e @anabel_media të shumtë qenë ndjekësit që ndanë me të tjerët historitë e tyre personale, kur prindërit i kanë krahasuar me të tjerët. Disa përmendëm se prindërit i kanë krahasuar me motrat dhe vëllezërit më të mëdhenj ndërsa të tjerë përmendën fqinjët. Arsyet e krahasimit rezultojnë nga ato qesharake e deri te edukimi dhe karriera. Madje krahasimi ndikon po aq keq edhe te fëmija që merret si shembull.

Të gjitha dëmet që prindërit u shkaktojnë
Historitë e tjera mund t’i gjeni te Highlights në Instagramin e @anabel_media.

Krahasimi nuk është fort produktiv dhe ka efekte negative sidomos për fëmijët. Edhe në rast se bëhet në formë këshille, sërish fëmija do të preket. Kjo nuk do të thotë që nuk u duhen vënë në dukje gabimet, por përmendja e shembujve është e tepërt. Çdo fëmijë është ndryshe dhe kjo është ajo çfarë duhet të kuptojnë prindërit. Krahasimi i tyre me të tjerët, në çdo hap, nuk do të ndihmojë aspak. Ka rëndësi që ata të mësojnë të përmirësojnë veten, jo të jenë më të mirë se të tjerët ose aq të mirë sa ata. Në një artikull të Parent Herald, theksohen disa nga efektet më negative të krahasimit të fëmijëve.

1 – Stresi mbizotërues

Një fëmijë që krahasohet me fëmijët e tjerë është jashtëzakonisht i stresuar. Krahasimi shkakton ankth dhe madje pagjumësi. Kur një fëmijë performon dobët, krahasimi me të tjerët nuk është përgjigjja e duhur. 

2 – Vetëvlerësimi i ulët

Fëmijët që krahasohen vazhdimisht me fëmijët e tjerë gradualisht do të fillojnë të besojnë se janë inferiorë ndaj të tjerëve. Në vend që të përpiqen të bëhen më të mirë, shumë fëmijë thjesht do të heqin dorë dhe do të kenë shumë frikë të provojnë gjëra të reja.

3 – Vlera e vetes

Fëmijët që krahasohen, pavarësisht përpjekjeve për t’i ngjasuar shembullit, do të kenë probleme me besimin në vete dhe nuk do t’i dinë vlerat e tyre.

4 – Ankthi shoqëror

Për shkak se fëmija beson se është inferior dhe një person që “nuk është i mirë për asgjë”, ai ose ajo do të bëhet shumë i/e ndrojtur për t'u shoqëruar me njerëzit e tjerë – dhe do të mendojë se nuk ka asgjë për t'u krenuar.

5 – Distanca nga prindërit

Fëmijët që krahasohen vazhdimisht nga prindërit e tyre me fëmijët e tjerë gradualisht do të tërhiqen nga familja. Këta fëmijë tërhiqen sepse nuk duan t'u shkaktojnë atyre zhgënjime të tjera.

6 – Xhelozia

Nëse vazhdoni ta krahasoni fëmijën tuaj me një tjetër, ai ose ajo mund të fillojnë të ketë xhelozi ekstreme. Mund të jetë një fëmijë i lagjes, një shok klase, një kushëri, vëllai ose motra dhe kështu me radhë. Xhelozia nuk është ndjenjë e shëndetshme.

 7– Urrejtja

Fëmijët mund të fillojnë të kenë urrejtje dhe mëri të fshehtë ndaj fëmijëve të tjerë sa herë që krahasohen vazhdimisht. Kjo mund t’i bëjë të sillen në mënyrë agresive.

8 – Talenti

Kur një fëmijë krahasohet, mundësitë që talenti i tij të lulëzojë janë të pakta.

Çfarë duhet të kuptojnë prindërit para se të krahasojnë fëmijët e tyre me të tjerët? Siç thekson FirstCry Parenting:

1 - Arsimi nuk është një favor i veçantë, por një e drejtë: Disa prindër mendojnë se i kanë bërë një nder fëmijës së tyre duke i vendosur në shkolla të mira dhe të shtrenjta. Përvetësimi i arsimit është një e drejtë e fëmijës dhe është përgjegjësia e prindërve të sigurojnë arsimim për ta.

2 - Fëmijët nuk janë pjesë dekorative: Fëmijët nuk duhet të trajtohen si pajisje nga prindërit. Ata nuk mund të trajtohen si një objekt për t’u treguar në qarqet shoqërore. Ata duhet të trajtohen me respekt si individë të pavarur.

3 - Çdo fëmijë është unik: Fëmijët duhet të lejohen të mendojnë në mënyrë kritike dhe të marrin vendime për veten, kështu do të zhvillojnë besimin, respektin dhe dashurinë e ndërsjellë.

Të gjitha dëmet që prindërit u shkaktojnë
Historitë e tjera mund t’i gjeni te Highlights në Instagramin e @anabel_media.

“Krahasimi është vdekja e gëzimit.” – Mark Twain