Nëse keni parë “The Queen’s Gambit”, në një moment ju ka lindur me siguri dëshira për të mësuar ose për të luajtur sërish shah. Nëse njohuritë tuaja për shahun janë fillestare, ky artikull ju vjen në ndihmë.
Shahu luhet mbi një fushë, e cila është katërkëndore me brinjë të barabarta. Fusha përbëhet nga 64 katërkëndësha kënddrejtë të vegjël, të ngjyrosur me ngjyrë të çelët dhe të errët. Çdo katërkëndësh quhet katror.
Përveç drejtimit horizontal dhe atij vertikal, kemi po ashtu dhe diagonalet. Katrorët në diagonale i përkasin të njëjtës ngjyrë, sepse bashkojnë këndet e njëri-tjetrit.
Fusha e shahut vendoset midis dy lojtarëve, në mënyrë që të ketë pamje të qartë dhe dora jonë e djathtë ta ketë të lehtë të arrijë çdo katror të fushës.
Gurët e shahut
Shahu luhet me gurë shahu (figura dhe ushtarë). Ata janë në dy ngjyra, të çelët dhe të errët, quajtur ndryshe të bardhë dhe të zinj. Njëri lojtar luan me të bardhët dhe tjetri me të zinjtë. Secili lojtar në fillim të lojës ka 16 gurë shahu. Këta janë: Një mbret, një damë (mbretëreshë), dy torra, dy fila (oficerë), dy kuaj dhe tetë ushtarë.
Vendosja e gurëve
Si të vendosim gurët e bardhë: Gurët e bardhë vendosen në dy horizontalet e para të fushës së shahut. Torrat vendosen në dy këndet. Kuajt vendosen menjëherë pas torrave. Pranë kuajve vendosen filat. Në dy katrorët qendrorë vendosen mbreti dhe dama (mbretëresha). Dama dhe katrori ku qëndron ajo kanë gjithmonë të njëjtën ngjyrë me të. Pra, dama e bardhë do të qëndrojë në katrorin e bardhë, ndërsa mbreti do të vendoset në katrorin tjetër. Tetë ushtarët do të vendosen në horizontalen e dytë, para figurave.
Si të vendosim gurët e zinj: Gurët e zinj vendosen në dy horizontalet e fundit të fushës së shahut.Torrat vendosen në dy këndet. Kuajt vendosen menjëherë pas torrave. Pranë kuajve vendosen filat. Në dy katrorët qendrorë vendosen mbreti dhe dama (mbretëresha). Dama e zezë vendoset në katrorin e zi, ndërsa mbreti vendoset në katrorin tjetër. Ushtarët vendosen në horizontalen e shtatë të fushës, para figurave.
Si lëvizin gurët e shahut
Në fushë janë gjashtë lloje gurësh shahu. Secili prej tyre lëviz ndryshe nga tjetri. Kur njëri prej lojtarëve zhvendos një prej gurëve në lojë, kjo quhet lëvizje. Gurët e shahut lëvizin në bazë të disa rregullave. Një prej tyre është rregulli “Po e preke, do ta lëvizësh”, që do të thotë se: nëse njëri prej lojtarëve prek një gur, atëherë ai është i detyruar ta lëvizë atë, edhe sikur t'i duhet ta falë. Secili lojtar luan me radhë. I bardhi luan gjithmonë i pari. Më pas vazhdon i ziu dhe kështu më tej.
Lëvizja e torrës: Torra luan në drejtim vertikal dhe horizontal. Ajo mund të lëvizë përpara, prapa si dhe anash, në të dy krahët e saj. Torra nuk mund të kapërcejë mbi gurët e vet dhe as mbi ato të kundërshtarit. Ajo mund të lëvizë deri në 14 katrorë.
Lëvizja e filit: Fili luan vetëm në drejtim diagonal. Ai mund të lëvizë para dhe të kthehet pas. Ashtu si në rastin e torrës, edhe fili nuk mundet të kapërcejë mbi asnjë gur tjetër. Secili prej lojtarëve ka nga dy fila kur nis loja. Njëri fil qëndron në katrorin e bardhë dhe tjetri në katrorin e zi. Ata qëndrojnë gjatë gjithë lojës në katrorët e ngjyrës fillestare, edhe pasi të kenë lëvizur; asnjëherë nuk ka kalim të tyre nga një diagonale e bardhë në një të zezë apo anasjelltas. Për shkak të këtij kufizimi, fili mund të lëvizë në 32 katrorë nga 64 që ka fusha. Numri i katrorëve ku mund të kalojë fili varet nga pozicioni i tij në fushë. Në qoftë se është vendosur në qendër, ai mund të lëvizë deri në 13 katrorë; nëse është vendosur në anë, atëherë nuk mund të lëvizë në më shumë se në 7 katrorë.
Lëvizja e damës (mbretëreshës): Dama lëviz në drejtim horizontal, vertikal dhe diagonal, pra ajo mund të lëvizë përpara, prapa dhe anash, por nuk mund të kapërcejë mbi gurët e tjerë. Numri i katrorëve, në të cilët mund të lëvizë dama varet nga vendi ku ajo qëndron.
Lëvizja e kalit: Lëvizja e kalit është shumë më e ndryshme sesa e gurëve të tjerë. Lëvizja e kalit ndahet në dy veprime:
1- Në fillim, kali lëviz dy katrorë në drejtim vertikal ose horizontal.
2- Më pas, ai lëviz vetëm një katror në drejtim tjetër.
Kali mund të kapërcejë mbi gurët e tjerë, të vetët ose të kundërshtarit. Kjo është një karakteristikë e veçantë e tij. Po kështu, kali mund të kalojë nga një katror i bardhë në një katror të zi dhe anasjelltas. Vlera e kalit rritet sa më pranë qendrës së fushës të jetë ai. Nëse qëndron në anë të fushës, ai mund të lëvizë vetëm në dy katrorë. Kur kali vendoset në qendër të fushës, atëherë ai mund të lëvizë deri në tetë katrorë.
Lëvizja e ushtarit: Ushtari mund të lëvizë vetëm përpara, vertikalisht. Ai mund të lëvizë vetëm një katror për çdo radhë, me përjashtim të rastit kur ndodhet në pozicionin fillestar (të fillimit të lojës), nga ku mund të lëvizë dy katrorë.
Lëvizja e mbretit: Mbreti mund të lëvizë në të gjitha drejtimet. Ai lëviz si dama, vetëm se i kufizuar në numrin e katrorëve; mbreti luan vetëm një katror. Numri i katrorëve në të cilët mund të lëvizë mbreti varet nga vendosja e tij në fushë. Nëse është vendosur në cep të fushës, ai mund të shkojë në 3 katrorë, kur ndodhet në horizontalen e fundit ose të parë, mund të shkojë në 5 katrorë, ndërsa kur është në qendër, mund të shkojë në 8 katrorë. Mbreti nuk mundet kurrë të shkojë në katrorët ku mund të shkojnë edhe figurat ose ushtarët e kundërshtarit.
Mbreti mund të lëvizë vertikalisht, horizontalisht dhe në drejtim diagonal, por gjithmonë në katrorët ngjitur me të. Nëse mbreti është i pozicionuar në qendër të fushës, ka më shumë liri lëvizjeje sesa po të jetë pozicionuar në cep ose në horizontalen e fundit apo të parë.
Marrja me torrë
Torra mund të marrë çdo figurë apo ushtar të kundërshtarit, që i del përpara në rrugën e saj me përjashtim të mbretit. Guri i shahut që do të merret nga torra largohet nga fusha dhe në vend të tij vendoset torra.
Marrja me fil
Fili mund të marrë çdo figurë apo ushtar të kundërshtarit (me përjashtim të mbretit), që i del rrugës. Guri i shahut, që do të merret nga fili largohet nga fusha dhe në vend të tij vendoset fili.
Marrja me damë
Dama mund të marrë çdo gur të kundërshtarit (duke përjashtuar mbretin), që i del rrugës. Guri hiqet nga fusha dhe mbretëresha vendoset në vendin e tij.
Marrja me kalë
Kali mund të marrë, me përjashtim të mbretit, çdo gur të kundërshtarit, që qëndron në një katror, në të cilin mund të shkojë kali. Guri që është marrë hiqet nga fusha dhe kali zë vendin e tij.
Marrja me ushtar
Ushtari mund të marrë, me përjashtim të mbretit, çdo gur të kundërshtarit, që qëndron në diagonalen pranë tij. Guri i marrë prej ushtarit largohet nga fusha dhe ky i fundit zë vendin e tij.
Marrja me mbret
Mbreti mund të marrë çdo gur shahu të kundërshtarit që ndodhet në katrorin pranë (me përjashtim të mbretit kundërshtar). Pas marrjes së gurit, mbreti zë vendin e tij.
Vlera e figurave
Kemi 6 lloje të ndryshme gurësh shahu - ushtarët dhe 5 lloje figurash dhe secili prej tyre luan në mënyrë të ndryshme nga tjetri. Vlera e gurëve varet kryesisht nga lëvizshmëria – sa më e madhe është lëvizshmëria e një guri, aq më i vlefshëm është ai. Guri me më pak vlerë është ushtari. Sipas një tabele vlerësimi, ku një ushtar vlen një pikë, do të kemi :
Dhënie shah
Lëvizja, me anën e së cilës sulmohet mbreti kundërshtar, quhet “dhënie shah”. Në këtë rast mbreti kundërshtar kërcënohet në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Dama e bardhë shkon në vijën horizontale, ku qëndron mbreti i zi. Me anë të kësaj lëvizjeje, dama e bardhë sulmon mbretin e zi. Kjo lëvizje që sulmon mbretin quhet “dhënie shah”. I bardhi jep shah me anë të damës dhe mbreti i zi ndodhet nën kërcënim.
Fili i bardhë shkon në vijën diagonale, ku qëndron mbreti i zi. Fili sulmon mbretin e zi. Kjo lëvizje që sulmon mbretin quhet “dhënie shah”. Fili i bardhë ka dhënë shah dhe mbreti i zi ndodhet nën kërcënim.
Mbreti në kërcënim
Nëse sulmohet mbreti, atëherë do të themi se ai është nën kërcënim. Lojtari, të cilit i kërcënohet mbreti, ka tri mundësi:
1- Ta luajë mbretin në një katror tjetër, të sigurt.
2- Të marrë figurën që ka kërcënuar mbretin.
3-Të vendosë një gur (figurë ose ushtar) midis mbretit të kërcënuar dhe figurës që e kërcënon atë.
Nëse asnjë prej mbrojtjeve të mësipërme nuk është e mundur, atëherë kemi “shah mat”.
Emërtimi i katrorëve
Secili katror i fushës së shahut ka një emër. Emrat e katrorëve janë të përbërë nga një germë dhe një numër. Për shembull: e4 ose g7. Për të përcaktuar emërtimin e katrorit, së pari gjejmë kolonën që i takon dhe më pas horizontalen përkatëse.
Për realizimin e artikullit u përdor materiali i përgatitur nga Dr. Olgun Kulaç në kuadër të projektit “Shahu në shkollë” në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Shahut. Materialin e plotë, së bashku me të tjera udhëzime dhe ushtrime, e gjeni këtu.
Artikull i rekomanduar: Nga kujtesa tek inteligjenca: 8 përfitime të shahut