Në një komunikim virtual për mediat ditën e sotme (29 dhjetor), kryeministri Edi Rama u shpreh se ka një ngërç të përgjithshëm në raportin mes kërkesës dhe ofertës përsa i përket vaksinave.
“Dua t’ju informoj që jemi në përpjekje intensive për vaksinën. Faktikisht situata e përgjithshme është shumë domethënëse përsa i përket një ngrëçi të përgjithshëm në raportin mes kërkesës dhe ofertës. Mbani parasysh një shifër se mbase ju ndihmon të kuptoni gjithë panoramën: Italia, e cila e ka nisur vaksinimin 2 ose 3 ditë më parë, ka në dispozicion 9700 vaksina. Kjo ka qenë sasia e parë që ka marrë Italia, vend i Bashkimit Europian me një popullsi të konsiderueshme. Doza e parë është ndarë mes vendeve të Bashkimit Europian dhe u është lënë atyre të negociojnë me palë të tjera për të ndarë nga paketa e tyre.”- tha ai.
Më vonë u ndal te marrëveshja me Pfizer dhe të tjera kompani.
“Nga ana tjetër, dua t’ju bëj me dije se kompanitë, duke filluar nga Pfizer, bëjnë marrëveshje të cilat sidoqoftë janë të lidhura me shtetet. Nuk ka një marrëveshje që bëhet e drejtpërdrejt me kompaninë dhe ti ble sipas asaj që ofrojnë, por marrëveshja është e lidhur me shtetet të cilat Pfizer ka vendosur vijat e para të komunikimit. Kur them shtetet, them Bashkimi Europian si një entitet i tërë. Kini parasysh se SHBA, ku është edhe baza më e madhe prodhuese, ka një ndalesë me akt të presidentit të SHBA që asnjë dozë nuk mund të dalë nga SHBA. Ky ngërç i përket vetëm fazës së parë, sepse prodhimi po rritet.”
Kryeministri shtoi se është i bindur se vaksinimi do të nisë në janar.
“Megjithatë dua t’ju them se ne jemi të bindur që vaksinimi do të fillojë pa pritur që të kalojë ky ngërç. Do e fillojmë brenda janarit dhe dua të besoj që në mes të janarit do të jemi në gjendje të fillojmë vaksinimin duke vepruar si të gjithë, në fillim mjekët, infermierët, mësuesit, punonjësit e policisë, të moshuarit etj. Jemi në diskutime edhe me AstraZeneca, edhe me Moderna dhe besoj që shumë shpejt do të finalizojmë marrëveshjen me Pfizer, që lidhet me kapacitetet që janë në shtete të ndryshme. Kjo është arsyeja pse është një punë intensive, diplomatike dhe komunikimi. Nuk ka ekzistuar asnjë mundësi për të bërë kontrata direkte. Jemi shumë pranë finalizimit të një marrëveshjeje.”