$NOB

Ketjona Pecnikaj dhe Megli Haskaj flasin për $NOB

Shkruar nga Anabel

1 Dhjetor 2021

Ketjona Pecnikaj dhe Megli Haskaj flasin për $NOB

Të ftuara në Wake Up mëngjesin e sotëm ishin Ketjona Peçnikaj dhe Megli Haskaj, dy prej aktoreve të serialit $NOB. Vajzat, që tashmë njihen me emrat personazheve: Ketjona si Tesa dhe Megli si Xhesika, folën për eksperiencën e jetuar që nga momenti i audicioneve, përjetimi i personazhit e deri tek dita e transmetimit të serisë së parë në Top Channel.

"Ka qenë eksperiencë fantastike! Gjatë kohës së xhirimeve kemi patur më shumë këshilla sesa vërejtje. Pavarësisht se shumica prej nesh kishin eksperiencë edhe më herët, i falenderojmë Dalinën, Redin dhe gjithë ekipin pasi pavarësisht shkollës, morëm mësime që na duheshin."- u shpreh Ketjona.

Nga ana tjetër Megli foli për rolin e Xhesikës dhe ngjashmërinë që ka me të.

"Nuk e di pse u zgjodha pikërisht unë, por ishte një nga personazhet që më pëlqeu shumë kur lexova skenarin. Xhesika, pavarësisht gjithçkaje që i ndodh në jetë, qëndron optimiste dhe e qeshur. Pavarësisht se në disa gjëra ngjaj me të, jemi shumë të ndryshme nga mënyra e jetesës, stili i veshjes, fakti që është rritur aq e llastuar, etj, etj."

Ndryshe nga ajo, Ketjona tha se e gjen veten gati 70% tek personazhi i saj në serial.

"Une jam 70% Tesa. Përsa i përket dramave, sakfricave, karakterit të fortë, ngjaj shumë me të. E kisha ndarë mendjen që do bëja audicione vetëm për personazhin e Tesës.  

Të pyetura në lidhje me serinë e preferuar, vajzat pa dashur të zbulonin se ç'vjen më pas, na siguruan që seritë në vazhdim janë plot të papritura, surpriza dhe kthesa në rrjedhën e historisë. 

Transmetimi i serisë së 4-ërt të $NOB është sot në mbrëmje (e mërkurë, ora 23:30) në Top Channel e ndërsa për serinë e 5-të do t'ju duhet të prisni deri të dielën, ora 20:00.