Paulini dhe Petriti janë tashmë ortakë në biznesin e kanabisit medicinal. Zefi (kushëri i Paulinit), deputet i veriut dhe një njeri me influencë në politikë dhe biznes, di se si t’i luajë shumë mirë gurët me të gjitha kahet politike dhe klasat dhe përpiqet të bëjë ndërmjetësin mes Paulinit dhe Petritit. Sipas tij, Paulini dhe Petriti janë 50:50, por Pualini thotë se “unë me vëlla të vdekur, nuk mund të jem kurrë barazim me ju shëndoshë e mirë”. Diçka ka ndodhur në të kaluarën që prek shumë njerëz, përfshirë edhe vëllain e Tesës.
Ambiciet e Kristelës nuk janë ambicie të moshatarëve të saj. Ajo guxon dhe i kërkon Lindës që ta konsiderojë si drejtuesen e departamentit të ri të komunikimit në kompani. Një veprim i tillë na tregon shumë për natyrën e Kristelës – që rrallë heq dorë.
Drama e Xhesikës merr të tjera përmasa kësaj here. Ajo përballet me Luisin, i thotë se ai është gay...por Luisi është shumë më shumë se aq. Ai është misterioz, manipulues dhe mbi të gjitha i rrezikshëm. Luisi është pikërisht personi që ndërhyn në punën e Albanit, i cili nuk arrin dot ta marrë një dosje të shumëkërkuar në zyrën e Petritit. Çfarë ka në dosje dhe pse pikërisht Albani (Paulini) dhe Luisi po kërkojnë të njëjtën gjë? Albani plagoset nga roja e kompanisë së Petritit (për shkak të ndërhyrjes së Luisit).
Darka e organizuar nga Franci dhe Tesa nxjerr në pah të tjera të vërteta. E gjendur në një bisedë që duket si në hetuesi (sepse Linda dyshon në sinqeritetin e Sarës dhe Tesës), Sara largohet. Për shkak se e vret ndërgjegjja, ajo vendos t’i thotë Bojkenit të vërtetën e vizitës së saj dhe Tesës në vilë. Bojkeni shokohet, por nuk ka mjaftueshëm kohë të mbledhë veten sepse e lajmërojnë se janë sulmuar zyrat e kompanisë së të atit.
I gjendur vetëm, i plagosur, Albani kërkon ndihmën e Kristelës, e cila e ndihmon, por a do t’ia vlejë? Deri ku mund të shkojë Kristela për Albanin? Albani është person me interes për policinë në hetimin për sulmin e kryer në zyrat e kompanisë. A do të zbulohet identiteti i tij i vërtetë dhe kush fshihet pas ngjarjes?
Seritë e $NOB transmetohen të dielën, ora 20:00 në Top Channel; ritransmetimi të mërkurën, ora 23:30. Në $NOB.al mund t'i shihni të gjitha seritë me titra shqip dhe anglisht, pa asnjë ndërprerje publicitare për 60 minuta.