*Shënim: Artikulli në vijim është shkruar nga Rezart Prifti, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, Departamenti i Menaxhimit. Qëndrimet më poshtë janë krejtësisht personale.
Kur isha i vogel më bënte përshtypje një vajzë, jo se ishte shumë e bukur, por ishte ndryshe estetikisht. Dua të them që ishte ndryshe nga veshja, mënyra si kombinonte gjithçka. Dukej, në krahasim me gjithë vajzat dhe çunat e tjerë ndryshe, me estetike, më e pastr, më e kombinuar, dhe më e vërtetë. Sa herë e shihja mendoja, 'ore ku i gjen ato gjëra që kombinohet ashtu' (shumë vite më vonë do merrja vesh që ishte mendim reciprok). Disa vite me pas unë do nisesha student në perëndim dhe si i pavarur më kishin lënë detyrë të merrja peshqirë te tregu, se a thua ti nuk kishte peshqirë perendimi, por si në ato vite dhe meraqet e prindërve… Kur shkova tek tregu ajo gruaja që shiste, duke parë që nuk i jepja drejtim asaj pune më pyet: "Më thuaj vetëm çfarë ngjyre i do se të them unë çfare të marrësh çuno!"
Dhe une që i përgjigjem pa hezitim: të zeze teta! Një grua që ishte në krahun tim fillojë të qeshte. Po ti ç'ke që qesh? - i them duke mos kuptuar ne botë se ç’kish ndërmend gruaja e botës. "Pse mor çun, kaq dembel je?"- pyeti ajo duke parë sikur nuk po më drejtohej mua dhe vazhdoi të ecte tjetërkund. Une i habitur i kthehem shitëses duke i thënë: "Ç'a thote ajo, unë dembel, të dijë ajo se sa mësoj e punoj unë…"
"Jo xhan, -thotë shitësja, e kish' fjalën do t'i marrësh ngjyrë të zezë meqë nuk do i lash shpesh…"
E ke parasysh kur t'i angazhohesh me një person për një kohë të gjatë dhe pas aq kohësh krejt papritur kupton që keni qenë të dy në dimensione të ndryshme. U shtanga për një moment se e para, mendova pse njeriu duhet të mendonte ashtu dhe e dyta, pse duhet lidhur frekuenca e larjes me ngjyrën e peshqirit. Ti, po je i pistë dhe peshqirin e bardhë nuk do ta lash (këtë mendoja unë kur isha shumë më i ri).
E treta, ore pse funksionojnë kështu njerëzit?! Ideja ishte që unë isha i fiksuar me ngjyrën e zezë dhe maksimumi çdo gjë e kisha gri...Aty kuptova për herë të parë në jetën time që ti mund të jesh në rregull me veten dhe me ndërgjegjen tënde, por jo me atë të të tjerëve. Gjithsesi, ky është tjetër diskutim.
Rreth asaj kohe, një person shumë i dashur për mua dhe më i rëndësishmi në retrospektivë, dashje pa dashje me durim dhe përkushtim kish' nisur një proces ndryshimi apo kultivimi estetik të padukshëm në pamje të parë për mua. Një ditë të bukur dhe shumë të ftohtë dimri, më thotë se do të ikim tek ekspozita e William Turner, me një ton si ta kish' vendosur dhe tani kishte mbetur veç të lëviznim vendit. Unë si zakonisht isha i fiksuar tek kompjuteri im, në një nga katërdhetë faqet që kisha hapur dhe i rrethuar nga librat që kisha aty me protokoll, i them me një injorancë të admirueshme se çmë duhet mua Turneri dhe se do trashem aty...Hajde më tha, se nuk e di çfarë po flet dhe thjesht s'mund ta humbasim këtë rast. Si përfundim, shkuam dhe aty më ndryshuan shumë perspektiva. Në teorinë e kreativitetit ne akademikët e quajmë “the ahaa moment”.
Që atëherë, sa herë më jepej mundësia nuk lija ekspozitë pa qëndisur nga Zoti Turner, Picasso, Salvador Dali, etj dhe jo thjesht shkoja, por i përjetoja.
Do thuash ti i dashur lexues që me lodhesh shpejt se ç’lidhje ka gjithë kjo histori me estetikën?
Në përkufizimin më të trashë, estetika është një bashkësi principesh e cila merret me natyrën dhe vlerësimin e së bukurës. Në këtë përqasje timen shprehje të tipit "shijet nuk gjykohen" apo "e bukura është subjektive", thjesht do injorohen dhe do t'u lihen për ushqim një kategorie injorantësh që ngushëllohen në proces pjekjeje intelektuale. Qëllimi i hyrjes së gjatë ishte për të treguar sesi gjërat janë në proces dhe sa më të mira dhe të këqija kalojnë njerëzit në procese formuese, grupet dhe shoqëritë gjithashtu.
Me modesti po shprehem për estetikën dhe mendoj se është shumë e lidhur me shpirtin, por më shumë me mendjen. Ndërthurja bëhet më e bukur kur estetika është e buruar nga mendja (racio), del në pah nga kushtet e krijuara më së miri dhe nga një shpirt i madh dhe i lumtur.
Disa fenomene ti i sheh herë më shpejt, herë më vonë se të tjerët, por nuk do të thotë se je bërë i ndërgjegjshëm në momentin që i ke pare. Përshembull: nje videoklip tek një këngë që është tmerr nga ana estetike, se nuk behet fjalë të gjykoj cilesinë e muzikës apo tekstit, mund ta kene parë 100,000 njerëz, por pa vënë re anomalite sepse atë formim estetik e kulturor kanë. Ta konkretizoj me shume idene.
Ne Shqiperi kush kaloi sipër këtij vendi, në të gjitha kuptimet e fjalës, e la shenjën e vet në shumë forma. Turku, e la në gjuhë, mendësi, arkitekturë, e çtë duash ti, italiani e la më se miri, komunizmi e la dhe na la shakull në vend. E vetmja periudhë qe ne nuk kemi identitet kulturor dhe më tej estetik dhe ndikim konkret është kjo e dekadave të demokracisë, kjo periudhe që nuk kishim njeri të hipur mbi ne.
Kjo shpjegon më së miri mungesën e identitetit, boshtit të vlerave, apo dhe bashkësisë së principeve jo vetëm për estetiken, por për çdo lloj principi. Po ta marrësh ekonominë është pa identitet, politika pa identitet dhe ideologji, shoqëria me poture nëpër këmbë, edukimi pa identitet njëherë lindor, pastaj njëherë perëndimor, njëherë bolonjez, njëherë britanik e pastaj finlandez, e kështu me radhë se e kupton idenë ti i dashur lexues.
Po e konkretizoj akoma dhe më shumë, sepse jo se kam formim të tillë po e kam shumë pasion. Kur u ktheva në Shqipëri pas aq vitesh gjëja e parë që më bëri përshtypje ish' keq kombinimi, për të mos thënë keqveshja, vazhdon e më bën. Perla që më habiti deri në logjike ishte kur po kërkoja shtëpi. Vija re, se ishte akoma koha që parketi ish' borgjez, pllakat në çdo shtëpi që veja ishin vendosur jo drejtë, por në formë kurabie, ashtu si pritet bakllavaja. Kjo pavarësisht se ku ishte shtëpia dhe sa e mire dhe e lirë ishte me neveriste në kulm, dhe ashtu si hyja dilja. Më vonë duke u futur në tregje të ndryshme vija re shume gjëra të lidhura me estetiken.
Programuesit kur kodonin përpos defiçencave në funksionalitet se nuk arrinin asnjeherë në rang konceptual, estetikisht nuk merrnin erë fare. Për të mos folur për ata që duhet ta kishin këtë në thelb të punës së tyre, dizajnerat. Kam takuar kaq shumë dhe shumë pak prej tyre të habisin me talentin dhe kontrollin e simetrisë. Megjithatë janë dhe mbeten të natyrës mercenare, ose si i thonë në Shqipëri merren me projekte e nuk i përkasin askujt. Ndaj ne nuk kemi për të prodhuar ndonjë Jony Ive. Pak ditë më parë po shihja një emision Real Estate, përpos skenarit të shëmtuar, shtirjes së skajshme, brutalitetit në komunikim, ishte një pjesë që ky intervistonte firma arkitekture nga arkitekt medemek të mëdhenj në Tiranë. Perla ishte që arkitekti komentonte një pallat të tij që ishte një qelbesirë vepër, si të ishte një realizim vizionar. Gjithë batërdia e ndërtimeve është përgjegjësi e tyre më shumë se biznesmenëve barkëpangopur. Meqë jemi te këta, se është një besim i përgjithshëm që sa më shumë para të kesh aq aq me estetik dhe i kombinuar je.
Nga eksperienca them se jo! Në këtë fshatin tonë të madh kam njohur ata me shuuuume para, ata me shumë pushtet dhe kam vënë re që nuk ka lidhje fare paraja me këtë punë. Prap me xixa i ke të veshur, me kafka, kanë element në estetikën e tyre që janë shumë të bukur, por që nuk u shkojne… Kjo pra është estetika, të të shkojë gjëja. Isha një herë në një takim me një biznesmen shumë të madh dhe duke kaluar sytë për të parë çka më rrethonte, një zakon i keq i imi ky duke kërkuar detaje ambjenti mendoj se njoh më shumë, më kalojnë sytë te kepucët e tij. Ka qenë takimi më i sikletshëm i punës në jetën time, se që nga ai moment jo vetëm nuk mbaja dot të qeshurën, por dhe nuk e merrja parasysh me në logjikën time. Nuk po komentoj më këpucet se…
Më tutje mbaj mend natën e Vitit të Ri një grup trendy organizonte një feste diku jashtë Tiranë. Kur arrij aty shoh që unë dhe ai që oganizonte ishim me të mëdhenjtë, përpos sikletit që më kapi, vura re që të gjithë ishin femijët e pasur të Tiranës dhe një pjesë që bëjnë sikur janë të pasur normalisht. Por ajo që më bëri përshtypje më shumë, se principi është mos humb kohe pavarësisht çfarë ndodh shijoje ose të paktën principi im, ishte se ishin vesh' te gjithe me te zeze djem dhe vajza. Dreqi e mori mendova jeni të rinj dhe të pasur pse kështu dhe m'u kujtua kur vajta te këshilli kombëtar i Partisë Demokratike që edhe aty kur hyra kisha të njëjtën ndjesi myku. Shumë njerëz thonë që e zeza është gjithmonë në modë, dhe kryesisht këtë e thonë njerëzit që nuk marrin vesh nga moda. E zeza përdoret si e bardha, kur nuk i jep dot drejtim kombinimeve…
Dhe meqë jemi te e zeza! Asnjëherë nuk i kam kuptuar lokalet dhe restorantet që behën me tavan të zi, karrige të zeza, tavolina të zeza, banja të zeza, dhe e kupton idene ti… Pas një eksperiencë të gjatë me një lokal simpatik dola nga sipërrmarja dhe ata që e morën gjënë e parë që bënë ishte të prishnin çdo gjë dhe ta bënin gjithçka të zeze… Kjo nuk ka lidhje me estetikën, por në çdo manual gastronomie apo historikun e kafeneve që italianet dhe francezët e shkretë bënë libra pa fund e zeza nuk figuron gjëkundi. Madje jane dhe sygjerimet për ngjyrat si e verdha dhe e kuqja që nxisin për të ngrënë dhe për të pirë. Kaq mjafton se të tjerat vijnë me punë…
Estetika nuk ka lidhje vetëm me çfarë vesh, të mos keqkuptohemi këtu. Estetika është mënyrë të menduari, mënyrë të jetuari, mënyrë komunikimi. Përshembull, shiko emrat e këngëtarëve dhe titujt e këngëve. Të them shih emrat dhe titujt që të mos lodhesh të lexosh tekste. Si mund të quhesh Stresi ose Bisha. Si mund të titullosh këngën Luis Viton? Po të vësh re edhe në rastet që autori i jep kuptim emrit, ose ka një histori nga mbrapa, historia është banale ose nuk i mbetet kohës. Për të mos folur pastaj për videoklipet që një perëndi e di kush i sajon në atë formë. Nëse pas dy dekadash në finalen e Super Bowl 2022 banda e hip-hop performon me të njëjtën këngë dhe më dhanë të njëjtën ndjesi për të mos thënë edhe më mirë, kjo do të thotë që i reziston kohës. Bëje një ushtrim dhe mendo se cilat këngë i rezistojnë kohës.
Po shkoja të blija ndriçues për kuzhinën dhe tek salloni ku tregohen të gjithë produktet, vija re që çdo familje që vinte, shkonte direkt tek ato ndriçueset që janë së fundmi me LED dhe me forma gjarpëruese si post-moderne. Ndjesë për drejtëpërdrejtësinë, por që ta bësh shtëpinë me to, jo vetëm që nuk ke estetikë, por je barbar se do të rriten edhe fëmijët në atë ambient. Megjithatë, ika andej se nëse do rrija nuk më rri menderja dhe do flas, e do filloj të mendoj sikur i sqaroj, por si thotë një miku im: "Nuk ndreqen të gjithë, ik se do të të bëhet ndonjë sëmundje."
Kalova tek një firmë që ka nga këto hidrosanitaret dhe kuzhina borgjeze. Në fillim po kërkoja rubinet dhe më thotë ajo goca me shumë mirësjellje, eja të të tregoj një produkt. Kur arritëm aty, shoh një rubinet dhe e pyes se sa kushton.
1800 euro më thotë! Unë i habitur i them, çfarë bën ky rubineti? Eshtë firmë profesor, më thotë. Mirë i them që nuk bëka ndonjë funksionalitet të tipit, ta nxjerrë ujin të oksigjenuar ose të ma fusë direkte në gojë, por çfarë do të thotë që është emër?
Më thotë emrin e një tipi që nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Domethënë, estetikisht ishte dramë, funksionalitet jo, por ideja është se ishte "firmato". Qesha me mirësjellje dhe u ndamë. Një kat më lart ishin kuzhinat. I them zonjës që ish' aty të më japë një orientim. Këtu tha i kemi të gjitha, këto janë A…. Kuçine dhe më thotë me krenari emrin e një tipi italian. Si ndodh zakonisht në këto raste, ose si ka ndodhur historikisht, i thashë se çfarë po kërkoja se në ketë rast e kisha në kokë, por meqë nuk kishte i them të më bëj dallimin e modeleve, se ku ndryshojnë dhe mos u habit se unë i them jam rrishtar dhe nuk marr vesh nga kjo punë dhe ndaj as emrat nuk i di. Duke qenë beqar më ka rënë taksirati t'i bëjë vetë. Unë mendova se bëra batutë, por ajo më kthehet: "Uaaaa nuk e njeh ti këtë A…. Kuçine?!… Pse nuk do ti që kur të hysh në shtëpi të jetë shtëpia me Pipo Kuçine?"
Jo moj xhan i thash, dua që kur të hyj te shtëpia të jem unë dhe jo kush tjetër! Nga lavazhieri i makinës që nuk vë re gjëra hashiqare, tek bojaxhiu që më thotë ta bëj si të re se ashtu i duket atij, tek dizajneri që asnjëherë nuk i qëndërzon gjërat, te marketingu që është ndoshta dështimi më i madh i shoqërisë sonë dhe këtu flas për kompani të mëdha, jo këto diaretë e vogla. Urbanistika pa identitet, arkitektura pa imagjinatë, marrëdhëniet njerëzore bosh, edukimi pa thelb, politika fallso, deri tek daljet në lokale a klube nate që nuk dinë çfarë kërkojnë. Të gjitha kanë të bëjnë me estetikën, sepse siç e thashë, estetika nuk është veç veshja, por shumë më shumë. Eshtë si trajton partneren, si i jep makinës, e fut vitën mes shalëve apo jo, kur parkon si lopa bajgën apo kujdesesh që të jetë estetikisht mirë makina, kur ecën në trotuar ecën në mes apo me sens orientimi, kur ha dëgjohesh apo ka lezet të të shohësh si një film epike, kur pi me delikatesë apo si damixhan çobani. Kur bën dashuri sinkronizohesh apo mjafton të jesh ti në rregull, kur ëndërron, si ëndërron...
Në Fakultetin e Ekonomisë ku punoja bëhet rikonstruksioni dhe u bënë edhe disa grafika. Nuk po i hyj thellë shumë gjërave, por në disa mure ishin bërë disa murale, prap nuk po analizoj çfarë muralesh sepse akoma më dridhet mishi kur i kujtoj nga primitivizimi, por ishin printuar me mur "blurry", ose në shqip- është si të shohësh YouTube me rezolucion 144p, apo të shohësh televizor me TV Lura. Duke qëndruar tek korridori i madh me disa njerëz, u them t'i shohin sesi kanë dalë. E panë dhe nuk vunë re asgjë që s'shkonte. Aty u tremba, sepse përditë njerëzit vështrojnë, por nuk shohin.
Apoteza e gjithë kësaj narrative është se estetika kultivohet dhe mbi të gjitha nëpërmjet edukimit. Kriza e shoqërisë sonë nuk është financiare, është deri diku burimesh njerëzore, por mbi të gjitha është kulturore.
Pasurimi duhet të fillojë që fëmijë, ku duhet gjetur ajo gjëja apo personi që na bën përshtypje dhe estetika është te mendja e hapur për të ndryshuar, duke krijuar fillimisht boshtin e vlerave dhe atë moral. E pasi ta kesh gjetur, duhet ta ruash. Nëse nuk bie dakord me shumë gjëra në këtë narrativë dhe instikti i parë është të thuash diçka personale për autorin, apo për përcjellësin e narrativës, apo apo që ka të bëjë me diçka personale (zakonisht me leshtë) dhe jo me argument, atëherë me siguri, ke një problem estetik...