Pushteti

Si do të përfundojë? 5 skenarë për luftën në Ukrainë

Shkruar nga Anabel

6 Mars 2022

Si do të përfundojë? 5 skenarë për luftën në

Presidenti rus Vladimir Putin duket se është i vendosur që të mos tërhiqet nga Ukraina pa asgjë. Ndërkohë një fitore e lehtë e Rusisë nuk duket se do të ndodhë. Cilat janë skenarët e mundshëm të zhvillimit të konfliktit?

1. Fitore e plotë e Rusisë dhe kryengritje e Ukrainës

Pavarësisht pengesave, forcat ruse po bëjnë përparim të ngadalshëm, por të qëndrueshëm. Zyrtarët amerikanë ende besojnë se Rusia ka "synim që ‘të presë kokën’ e qeverisë së Ukrainës" dhe kur Putin tha se kishte për qëllim "çmilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës", ai sigurisht që nuk dukej i gatshëm për të përfunduar një marrëveshje me udhëheqësit e saj aktualë. Plani i Putinit nuk duket se përfshin një aneksim formal të Ukrainës – ai duket se nuk ka ndërmend të “pushtojë” vendin, por përkundrazi të instalojë një lider që do të qeveriste nën ndikimin e Moskës.

Megjithatë, edhe në këtë version të ngjarjeve, konflikti i armatosur ka të ngjarë të vazhdojë. Nëse ushtria e Ukrainës mposhtet, dhjetëra mijëra ukrainas tashmë kanë marrë armët dhe lufta mund të shkojë në ilegalitet. Fuqitë e jashtme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, mund të mbështesin kryengritjen. Çdo kryengritje ka të ngjarë të jetë e gjatë dhe e përgjakshme për të dyja palët. Fakti që një shtet rrëzon qeverinë e një vendi, nuk do të thotë se do të jetë në gjendje ta qeverisë atë pasi pushtimi ka mbaruar.

2. Ndarja e Ukrainës

Një rregull i përgjithshëm që mësohet në akademitë ushtarake është se mbrojtësi i një territori ka një avantazh 3:1, që do të thotë se sulmuesit i duhen tre herë më shumë forca se mbrojtësi për të kontrolluar zonën. Në zonat urbane, raporti ndonjëherë rritet në 5:1. Rusia ka vendosur rreth 200,000 trupa për luftën; Ukraina ka afërsisht të njëjtin numër. Është e vështirë të shihet se si Rusia mund të kontrollojë të gjithë Ukrainën, veçanërisht rajonet perëndimore, ku ndjenjat anti-ruse kanë qenë gjithmonë të thella.

Në një intervistë të kohëve të fundit në Politico, analistja ruse dhe ish-këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Fiona Hill, sugjeroi se qëllimi i Putinit mund të mos jetë të sundojë të gjithë Ukrainën, por ta "shpërbëjë atë, ndoshta të aneksojë disa pjesë të saj, ndoshta t'i lërë disa si shtete të vogla ose një Ukrainë më e madhe diku, ndoshta rreth Lvivit”.

Sipas këtij skenari, qeveria e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy mund të tërhiqet në Lviv në perëndim, ndërsa Ukraina lindore të shndërrohet në një version më të madh të krahinave aktuale separatiste të Donetskut dhe Luhanskut. Ukraina lindore do të ishte de fakto e pavarur, por e varur nga Moska dhe e panjohur nga shumica e botës. Lumi Dnieper mund të bëhet si Muri i Berlinit i një lufte të re të ftohtë.

3. Armëpushim i negociuar

Në marrëveshjet e mëparshme, Ukraina kërkon tërheqjen e menjëhershme të trupave ruse. Qëllimet e Rusisë janë më të paqarta. Një fund i negociuar i luftimeve varet nga gjetja e një mënyre për Putinin, diçka që ai mund ta shesë si fitore disi të besueshme për popullin rus. Kjo bëhet më e vështirë çdo ditë që kalon, teksa viktimat ruse rriten. Putini ka të ngjarë të kërkojë, siç bëri para luftës, që Rusia të marrë garanci me shkrim se Ukraina nuk do të bashkohet me NATO-n ose nuk do të vendosen në Ukrainë trupa perëndimorë.

Qeveria ruse mund të kërkojë gjithashtu njohjen e sovranitetit rus mbi Krimenë ose një zgjerim të territorit të rajoneve separatiste në lindje.

4. Grusht shteti

Luftërat kontribuan ndjeshëm në rënien e dinastisë Romanov dhe më pas të komunistëve në epokën sovjetike. Nëse Putini nuk do t'i japë fund luftës, a mund t'i japë lufta fund Putinit? Lufta ka sjellë një ndikim të rëndësishëm në Rusi. Ekonomia po kërcënohet nën sanksione të reja, kompanitë gjigante perëndimore po tërhiqen dhe shteti ka rritur censurën në nivele pothuajse të paprecedentë. Qeveria ka neutralizuar shoqërinë civile dhe median e pavarur. Lideri më i rëndësishëm i opozitës ruse, Alexei Navalny, është në burg. Një lider i ri mund t'i japë fund luftës dhe të fajësojë Putinin për të gjitha vendimet e marra më parë.

5. Lufta NATO-Rusi

Qeveritë perëndimore po përballen me një ekuilibër delikat dhe potencialisht të rrezikshëm: dëshirën për të ndihmuar Ukrainën dhe frikën se mos nisin një "luftë botërore" me një superfuqi - një superfuqi e udhëhequr nga një udhëheqës i paparashikueshëm që tashmë ka bërë kërcënime që përfshijnë armë bërthamore. Forcat ruse dhe NATO nuk mund të përballen. Kur ngrihet ky skenar, ekspertët dhe parashikuesit heshtin. Ajo që mund të pasojë është vërtet e pamundur të parashikohet.

Artikuj të rekomanduar:

Burimet ndihmëse: Grid, Politico