Noizy nuk ka pikë dyshimi që 14 gushti – dita kur do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza” koncerti i tij “Alpha Show” – do të shënojë momentin më të rëndësishëm të karrierës së tij. Në një intervistë për Anabel, reperi tregoi më shumë detaje për koncertin më të përfolur të momentit, për të cilin Noizy premton se do të jetë gjëja më e bukur që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri në zhanrin e muzikës hip-hop.
Kanë kaluar 16 vjet që nga debutimi yt i parë në tregun muzikor shqiptar. Pas albumit super të suksesshëm, “Pak më ndryshe” në 2009-n, ky është koncerti yt i parë në të tilla përmasa. Çfarë të bindi që tani është momenti i duhur?
Noizy: Në fakt momenti i duhur duhej të kishte qenë që në fillimet e mia, por atëherë nuk kisha mundësi dhe këtu e kam fjalën nga ana ekonomike sepse ky koncert ka kosto shumë të lartë. Më vonë, kur m’u dha mundësia ekonomike, nuk kisha më kohë duke u marrë me klipe, albume dhe në fund vinte sezoni veror. Ja kështu është zvarritur deri tani, por ama e kam pasur në mendje perherë ta bëj këtë koncert e më beso që do të jetë gjëja më e bukur që është bërë ndonjëherë deri sot në Shqipëri për këtë lloj rryme muzikore. Dua ta kthej në traditë, pra ta bëjmë çdo vit, siç ndodh në çdo vend të botës. Pse të mos e kemi edhe ne?! Por, mbi të gjitha, këtë koncert specifik e meritojnë fansat e mi të flaktë që ndër vite më kanë ndjekur. Ata e meritojnë të shohin dhe shijojnë një spektakël të vërtetë sipas standardeve botërore. Dua t’ua dhuroj këtë ndjesi përkrahësve të mi dhe të kësaj rryme muzikore.
Koncerti titullohet “Alpha”. Si personalitet, alpha nënkupon dikë që është lider dhe gjithmonë në krye duke udhëhequr. Të paktën për ne. Po për ty, çfarë nënkupton “alpha”?
Noizy: Alpha është dikush që kërkon të jetë gjithmonë në garë, që i pëlqejnë sfida, që është i bindur për vlerat e tij, që ia njeh aftësitë dhe pikat e forta vetes, ia ja njeh edhe pikat e dobëta, por kurrë nuk i shfaq. Alpha flet perherë me shumë vetëbesim. Alpha është sa i pavarur, aq edhe i ndërvarur nga të tjerët. Shumicën e kohës është në turmë, por di të jetë e të bëhet lider i asaj turme. Ai nuk e lë veten të shtyhet nga të tjerët, e jeton jetën me kushtet e tij, edhe nëse njerëzve të tjerë nuk u pëlqen. Alpha është person që nuk ka nevojë të mburret me veten. Ai fiton respektin e kolegëve të tij.
Si do ta përshkruaje koncertin me 5 fjalë?
Noizy: Be there or be pishman. *qesh*
Shohim që do të jenë të pranishëm shumë artistë, shqiptarë dhe të huaj, gjë që ishte surprizë për të gjithë. A do të ketë të tjera surpriza gjatë koncertit?
Noizy: Përveç artistëve më të mirë në Europë, në atë skenë magjike do të ndodhë diçka shumë e bukur. Do të jetë në momentin kur do të dal në skenë. S’dua të zbuloj më shumë, por do të jetë shumë WOW efekti.
Adoleshentët e viteve 2000 u rritën duke dëgjuar këngët e albumit “Pak më ndryshe”, të cilat u përhapën masivisht edhe pse nuk ishte epoka e YouTube-it. A do të shërbejë “Alpha” si një moment nostalgjie për ato vite?
Noizy: Po, koncerti “Alpha” do të na kujtojë ato momentet kur dilnim nga shkolla dhe merrnim këngët me Bluetooth ose kur festonim në ato festat e vogla te shkollave e maturave, apo edhe kur shkonim nëpër internet cafe për të dëgjuar këngët e para. Të them të drejtën, kurrë nuk kam pasur me shumë emocione se tani sidomos për një koncert. Une bëj mbi 150 koncerte në vit, por Alpha Show më ka bërë të kem shumë emocione si asnjëherë tjetër, sepse e di se çfarë përmasash do të marrë e në çfarë standardesh do të vijë. E di se çfarë ndjesie është të rritesh me këngët e një artisti që adhuron, pasi edhe unë kam pasur idhuj disa artistë të huaj.
A mendon se do të shënojë “Alpha” momentin më të rëndësishëm të karrierës tënde deri sot?
Noizy: Besoj se po, s’kam pikë dyshimi.
Cilat janë planet në të ardhmen? A do të ketë një “Alpha 2”?
Noizy: Uroj të kemi shëndet. Gjithçka është e mundur. Unë nuk do ta lë me kaq. Hera e parë është e vështirë dhe më e veçantë, por premtoj që s’do e lë me kaq.
Do të na duhet të presim 16 vite të tjera?
Noizy: *qesh* Jo më pak, 12 muaj nga momenti kur “Alpha” përfundon.
View this post on Instagram