Showbiz dhe TV

Pse nuk erdhi kurrë dueti 'i famshëm' mes gocave shqiptare me famë botërore?!

Shkruar nga Anabel

6 Shtator 2022

Pse nuk erdhi kurrë dueti 'i famshëm' mes gocave shqiptare

Në 2018-ën, njerëzit jo pa arsye, ishin të bindur për një rivalitet mes Dua Lipës dhe Rita Orës dhe sipas The Sun, vajzat nuk flisnin me njëra-tjetrën. 

Në 2019-ën, Bebe Rexha ftoi Rita Orën, Dua Lipën, Ava Max dhe Njomzën - për një bashkëpunim mes artistesh shqiptare, duke i etiketuar në Instagram. Të gjitha vajzat duket se ranë dakord edhe pse bashkëpunimi nuk erdhi kurrë.

Më pas në nëntor të po atij viti, Rita Ora përmes një postimi dukej sikur thumbonte Dua Lipën, duke shkruar se ishe ajo "e para që ia tha me krenari botës nga është".

Vitet kaluan, por bashkëpunimi nuk erdhi kurrë. 

Ditën e sotme, 6 shtator 2022, Rita Ora do të performojë në sheshin Skëndërbej dhe pak orë para koncertit ajo u shfaq në një konferencë për shtyp. 

Sigurisht që u pyet rreth një dueti apo bashkëpunimi të mundshëm me yje të tjerë si Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Ava Max.

Ajo tha se "ndihet e lumtur që vendi ynë po njihet më shumë falë artistëve shqiptarë".

Po për duetin? Gjërat bëhen në kohën e duhur, u shpreh.

"Kur unë fillova karrierën në 2011-2012, ndjeja se kisha shumë më shumë presion për ta futur vendin tim në hartën globale dhe mendova që jam e vetmja në atë kohë. Tani jam e çliruar që kam më shumë nga vendi im në fushën time, por edhe në fushat e tjera."

Këngëtarja shtoi:

"Ne kemi shumë talente si ato që përmende, dhe do të ishte një ëndërr për mua që një ditë që të bëhemi të gjitha bashkë, në kohën e duhur. Të gjitha kanë axhendën e ngjeshur, por në kohën e duhur, mua mund të më llogarisni", u shpreh Ora.

Pra, dueti s'paska ardhur sepse mesa duket s'qenka koha e duhur. Rita Ora, gjithsesi, qenka gati kurdoherë.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.