
Matthew Perry, i njohur si Chandler Bing në serialin e famshëm “Friends”, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare. Aktori u gjet i pajetë në shtëpinë e tij, në lagjen “Pacific Palisades” në Los Angeles ditën e sotme dhe mendohet se shkaku i vdekjes ka qenë mbytja.

Sipas burimeve, herët në mëngjes, Perry u rikthye në shtëpi pas një loje pickleball dhe i kishte kërkuar asistentit që t’i kryente një detyrë. Dy orë më vonë, asistenti e gjeti në jacuzzi, pa ndjenja dhe telefonoi ambulancën.
Deri më tani, thuhet se përdorimi i lëndëve narkotike nuk përfshihet në shkakun e vdekjes së aktorit.
Perry dëshpëroi fansat e serialit shumë të pëlqyer “Friends”. Ai luante rolin e Chandler, një burrë që kishte batuta sarkastike. Mattheë ka folur shpesh për jetën e tij të vështirë, pasi 3 vite pas debutimit të serialit, ai u përfshi në një aksident dhe nisi varësinë ndaj ilaçeve që zbusin dhimbjen.

Perry ka lindur më 19 gusht 1969 në Massachusetts dhe ëma e tij, Suzanne Marie Morrison ishte gazetare dhe ka shërbyer si sekretare shtypi për ish-kryeministrin e Kanadasë, Pierre Trudeau, ndërsa i atij, John Bennett Perry, ishte aktor dhe model.

Në moshën 15-vjeçare, ai u zhvendos në Los Angeles për të ndjekur pasionin si aktor dhe në vitin 1990, u bë pjesë e kastit të serialit “Sydney”, më pas në “Home free”. Gjithsesi, rolin më të famshëm e fitoi në serialin humoristik “Friends”, ku luajti rolin e Chandler Bling për plot 10 sezone.

Në vitin 2022, ai publikoi një libër me kujtime: “Friends, Lovers, and the Big Terrible Things: A Memoir”, ku tregoi me detaje famën, betejat me shëndetin e tij, si dhe me varësinë ndaj substancave narkotike dhe alkoolit. Në libër, ai rrëfen se për 2 javë ka qenë në koma dhe ka qëndruar për 5 muaj në spital duke luftuar me jetën, pas problemeve me zorrën e trashë, nga përdorimi i shumtë i opioideve (ilaçe që përdoren për të zvogëluar dhimbjen).