Njerëz të thjeshtë, adhurues të “Friends”, miq dhe kolegë reaguan për vdekjen e aktorit Matthew Perry duke postuar deklarata që vlerësojnë Perry-n si njeri dhe aktor. Megjithatë, jo pak njerëz janë habitur se pse yjet e tjerë të “Friends” - Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer – nuk kanë publikuar asgjë.
Postimet në llogaritë e tyre në rrjete sociale janë mbushur me komente të tipit: “Pse asnjë nga yjet e ‘Friends’ nuk ka postuar për humbjen e Chandler?”; “Sinqerisht, jam me të vërtetë i zhgënjyer dhe i neveritur që asnjë nga kasti i aktorëve të ‘Friends’ nuk ka bërë një postim apo ndonjë gjë për të kujtuar kolegun dhe mikun e tyre”; “E çuditshme se si asnjë nga aktorët e ‘Friends’ nuk ka thënë një gjë për vdekjen e Matthew.”
Nga ana tjetër, ka pafund komene që u bënë thirrje njerëzve në rrjete sociale që të respektojnë dhimbjen e aktorëve të “Friends”, të cilët mbetën miq të mirë pas përfundimit të sitcom-it. “Mos jini kaq injorantë, kini pak respekt për ta. Ata kanë nevojë për kohën e tyre për të përpunuar ndjesitë përpara se të bëjnë një postim për të kënaqur të tjerët,” shkruan dikush.
“Sepse janë të tronditur sepse kanë humbur dikë që e kanë dashur shumë,” thotë një tjetër. “Nëse miku juaj vdes, a do të ishte postimi në rrjete sociale gjëja e parë që do të bënit?” ironizon një koment i radhës.
“Si mund të shkruani gjëra kaq patetike?! A jeni në rregull? Këta njerëz kanë humbur një mik që e njohin prej kohësh. Ata nuk e kanë mendjen te rrjetet sociale në një kohë kur po përjetojnë një dhimbje kaq të madhe,” shton një tjetër përdoruese.
Perry, 54 vjeç, u gjet pa shenja jete në vaskë. Të dielën, familja e tij lëshoi një deklaratë duke thënë se ata ishin "zemërthyer nga humbja tragjike e djalit dhe vëllait tonë të dashur". Për të zbuluar shkakun e vdekjes, po kryhen hetime shtesë përpara se të arrihet një përfundim.