Kinema & TV

Pse duhet ta shohësh “Anatomy of a Fall”, filmin e nominuar për Oscar?

Shkruar nga Anabel

26 Shkurt 2024

Pse duhet ta shohësh “Anatomy of a Fall”, filmin e nominuar

Një ndër gjërat e mia të preferuara gjatë kësaj periudhe, është të shoh filmat e nominuar për çmimet Oscar. Rishtazi, pashë “Anatomy of a fall” (Titulli origjinal: “Anatomie d'une chute”) dhe fatmirësisht, nuk u zhgënjeva, përkundrazi, u mahnita.

Kujdes! Ky artikull përmban spoliers!

Rreth filmit: Filmi është i zhanrit dramë, me regji të Justine Triet. Skenari është shkruar nga Justine në bashkëpunim me Arthur Harari dhe ngjarja tregon për martesën e Sandra-s (Sandra Voyter) me Samuel Maleski (Samuel Theis), bashkëshortin e saj.

Ata të dy jetojnë në një shtëpi të izoluar në mal, së bashku me djalin e tyre, Daniel (Milo Machado-Graner) dhe qenushin e tyre Snoop. Ngjarjet zhvillohen shpejt dhe papritur, Samuel gjendet i vdekur në një mënyrë të mistershme, me një plagë në kokë, pranë shtëpisë. Dyshimet bien mbi të shoqen, e cila kërkon ndihmën e një miku të vjetër avokat, Vincent Renzi (Swann Arlaud). Dyshimet sa vijnë e shtohen dhe Sandra përfundon në gjyq dhe ngadalë, tregohet jeta e çiftit, me sekretet dhe problemet e tyre.

Para se të vdiste, Samuel kishte regjistuar një zënkë me Sandra-n, në të cilën e akuzonte për plagjiaturë dhe se ajo donte të kontrollonte jetën e tij. Sherri kthehet në fizik dhe është e paqartë se kush godet kë, por në gjyq, thuhet se dhuna vjen nga Sandra, e cila e pranon se kanë goditur njëri-tjetrin, por në fund, Samuel nisi të godiste veten.

Ngadalë shpaloset e gjithë tabloja: Sandra është biseksuale dhe ka pasur një marrëdhënie me një grua, 1 vit para vdekjes së Samuel (duke e tradhtuar të shoqin). Megjithatë, Sandra këmbëngul se thjesht një regjistrim nuk përshkruan natyrën e marrëdhënies së tyre. Djali, Daniel, ndikohet nga e gjithë kjo dhe bën kthesën finale në gjyq, duke treguar mendimet vetëvrasëse të të atit dhe duke bërë një eksperiment.

Filmi është fantastik, i mbushur me detaje dhe një skenar të mirëndërtuar, në të cilin ti mund të shohësh shumë mirë se kur Sandra vihet me shpatulla pas murit, sa e butë është me të birin, si fajëson të shoqin e ndjerë dhe se si e ka të vështirë përshtatjen me një gjuhë dhe kulturë tjetër, duke nënkuptuar se ajo u shpërngul nga shtëpia dhe vendi i saj, për hir të dëshirës për qetësi dhe problemeve financiare.

Pse duhet ta shohësh “Anatomy of a Fall”, filmin e nominuar

Pse duhet ta shohësh?

Një arsye më shumë pse duhet të shohësh filmin, është sepse është i bazuar në historinë e vërtetë të  Sandra-s, një autore e suksesshme gjermane dhe e bashkëshortit, Samuel, i cili aspironte të ishte një shkrimtar i vlerësuar. Në këtë film, ka një tension që të lë pezull, që vjen edhe nga komunikimi në gjuhë të ndryshme. Sara do të komunikojë në anglisht, ndërsa Samuel në frëngjisht, sepse jetojnë në Francë. Tensioni i tyre, edhe pse Samuel ka ndërruar jetë, është i pranishëm, veçanërisht në kujtimet dhe në ngjarjet që pasojnë jetën e të dyshuarës.

Aktrimi i Daniel (Milo Machado-Graner) është gjithashtu fenomenal. Atij i është dëmtuar shikimi në një aksident me të atin dhe është personi që e gjen të vdekur Samueli-n. Drama e tij është e madhe, por ai e jep shumë pak veten. Gjithë kohës, falë memories së tij të cunguar për shkak të traumës, ai do t’i japë sens ngjarjes. Ai bëhet ndër dëshmitarët kyç dhe sigurisht, kjo ka peshën e saj.

Pse duhet ta shohësh “Anatomy of a Fall”, filmin e nominuar

Në film, skenari është super i rëndësishëm! Në "Anatomy of a Fall" është thjesht fantastik, rrjedh në mënyrë të përkryer dhe lidhet shumë mirë me çdo ndjesi dhe situatë. Siç edhe ky film na tregon, martesa është një puzzle i pafundëm, i mbushur me momente që e lidhin çiftin dhe situata të tilla që e krisin atë. Ashtu siç Sandra këmbëngul disa herë, natyra e marrëdhënies së saj është shumë më e ndërlikuar se sa ajo që paraqitet në gjyq nga gjykatësit tendeciozë.

Në film shohim një gjykim ndaj Sandra-s, e cila vendos karrierën e saj të parën, në raport me kujdesin ndaj fëmijës dhe martesën. Gjithashtu, sytë e njerëzve në gjyq e shigjetojnë kur ajo pranon hapur se ka pasur një marrëdhënie me një grua. Megjithatë, kjo nuk është një situatë si i gjyqit të Merso-it tek "I huaji"nga Albert Kamy. Ajo refuzon që këto vendime në jetën e saj ta lidhin me vrasjen e bashkëshortit.

Regjia dhe fotografia gjithashtu kanë bërë një punë shumë të mirë, me lëvizjet e kamerës, sidomos në rastet kur Daniel dhe Sandra janë përballë gjyqit. Përmes lëvizjes të kamerës, shohim se si Daniel konfuzohet kur 2 avokatët hedhin e presin përgjigje mbi rastin, si dhe kur Sandra, pavarësisht tendencës dhe manisë për ta fajësuar, qëndron dominante dhe kamera i qëndron përballë.

Pse duhet ta shohësh “Anatomy of a Fall”, filmin e nominuar

Gjithsesi, duhet të shtoj që filmi është pak i gjatë, ndaj përgatitu, ose shikoje me ndërprerje. Në total, e vlerësoj 8/10. Qasja e këtij filmi është e distancuar, pra, nuk ka kthesa të papritura dhe e lë shikuesin që të jetë në dilemë nëse është Sandra apo jo fajtore. Është e thjeshtë të të mashtrojë, pasi kur sheh dhe dëgjon argumentet e palës tjetër, mendon se Sandra është fajtore, ndërsa kur sheh Sandra-n në bankën e të pandehurit mendon se ajo është një qenie e trazuar, por jo vrasëse.

Me pak fjalë, të sugjeroj ta shohësh këtë film dhe të zbulosh të tjera elemente! Do të të lërë me një miks ndjesish.

 - Ky artikull është një qëndrim personal, shkruar nga A. Shehu, redaktore kontribuese në Anabel Media.

Artikuj të sugjeruar: