A e imagjinoni një grua të shenjës së Virgjëreshës si një vajzë të butë, të dëlirë, të pastër si dëbora e saporënë? Mund t’ju shkatërrohen iluzionet pasi të vazhdoni të lexoni. Ajo nuk është nimfa mbi shkëmbin e bardhë që po kreh flokët e saj të artë. Na vjen keq, por ja ku u rrëzua edhe një mit.
Një grua e shenjës së Virgjëreshës mund ta braktisë burrin për një tjetër që takoi rastësisht gjatë një udhëtimi të largët, por edhe të durojë me kryeneçësi çdo sfidë që i sjell jeta. Pra, është një grua e ekstremeve. Kjo nuk është naive apo delikate, përkundrazi…
Është shumë e vërtetë që në thelb ajo është e ndrojtur. Nuk ka vend për diskutim në këtë pikë. Vajzat e Virgjëreshës nuk i gjen në salla të mëdha duke mbajtur fjalime. Atë nuk do ta shihni ndonjëherë të arrestohet sepse i jepte makinës e dehur, apo ta gjeni në ndonjë nga ato shfaqjet “burlesque”. Por një grua e shenjës së Virgjëreshës është një grua në të gjitha kuptimet. Ajo ka të gjitha dredhitë e nevojshme dhe armët e duhura, duke përfshirë vendosmërinë për të ndjekur lumturinë kudo që ndodhet, pavarësisht rrugës që duhet të marrë. Disa gjemba dhe pengesa përgjatë rrugës nuk do ta bëjnë atë të lodhet apo të qajë dhe të kërkojë ndihmë.
Kur ju të dëgjoni ndonjëherë që një grua e shenjës së Virgjëreshës ka shkelur rregullat dhe normat e shoqërisë, sigurohuni që të lexoni midis rreshtave. Ajo në thelb ka një mendje të pastër dhe të kthjellët. Por kështu është edhe dashuria e saj. Dashuri e vërtetë! Dhe Virgjëresha nuk është e interesuar për asnjë lloj tjetër dashurie. Ajo do të ngjitet në malet më të larta dhe do të lundrojë në detet më të stuhishme, veç për dashurinë!
Një grua e shenjës së Virgjëreshës që është e bindur se martesa e saj nuk është e rregullt, gjen një dashuri të re të patëmetë dhe nuk do të hezitojë për të këputur lidhjet e mëparshme. Kur ajo përdor thikën për të ‘prerë’ një marrëdhënie, do të jetë po aq e ftohtë dhe e saktë si një kirurg. Ndonëse ajo urren që të shkatërrojë familjen, urrejtja e saj për hipokrizinë është edhe më e madhe.
Pasi ajo ta pranojë dashurinë si të vërtetë dhe ideale, pastërtia e konceptit të saj për këtë lidhje dashurore, qëndron mbi të gjitha dokumentet e letrat zyrtare që ekzistojnë në botë. Pra, Virgjëreshës nuk i duhet një martesë për ta përcaktuar dashurinë. Ajo është e vetmja grua në horoskop që mund të jetë jashtëzakonisht praktike dhe romantike në mënyrë hyjnore në të njëjtën kohë.
Në fakt, ky është një shembull se si sillet në të vërtetë një Virgjëreshë, kur ndodhet para një vendimi të vështirë. Ajo do të vuajë agoninë dhe sikletin në lidhje me dënimin që do t’i japë shoqëria për një çështje të tillë, por sërish nuk do ta ndryshojë kursin e veprimit, sepse nuk mund të ndryshojë arsyen dhe synimin e saj.
Ky është një shembull i përsosur i prakticitetit të elementit të Tokës që i përket shenja e Virgjëreshës, i miksuar me elementin e Ajrit, tipike e Mërkurit. Ka shumë vrull dhe pasion te dashuria e Virgjëreshës, e cila e cilëson si një zjarr që pasi është ndezur, mund t'i bëjë me turp pasionet e shenjave të tjera të Diellit, nga intensiteti i madh që ofron.
Ajo është një perfeksioniste, por kjo nuk do të thotë se vetë është e përsosur. Ajo ka të metat e veta, ndonëse përpiqet shumë që t’i fshehë ato. Kështu, vajzat Virgjëreshë kanë një besim të verbër se asnjë nuk mund t’i bëjë gjërat më mirë dhe me më shumë përsosmëri sesa ato. Ajo që mund t’ju tërbojë më shumë është fakti se zakonisht - asnjë nuk mundet. Ato janë shumë strikte edhe me korrektesën në orare. A e keni lënë ndonjëherë një grua të shenjës së Virgjëreshës të presë në një takim? Kur ajo është e mërzitur, nuk do ta shfaqë mërzinë duke u nxehur ose duke ikur nga takimi, por mund të bëhet gërnjare dhe shumë ironike kur e keni mërzitur shumë. Gjithashtu, mund të prisni edhe një sharje të sinqertë nga ana e saj. Mund të ketë ndonjë grua të kësaj shenje, që do të sillet si një grua paksa e pacipë, por shumica e tyre nuk arrijnë deri në këtë pikë.
Kur jeni gabim, ç’të bëni? Dërgojini lule të bukura. Pranojeni që keni gabuar dhe mos hyni në debat. Do ta keni të kotë të debatoni me të. Elementi i saj është Toka, kështu që ajo i vlerëson krijimet e natyrës dhe një buqetë me lule do ta zbusë acarimin. Sa i përket faljes, bjerini shkurt dhe tregohuni të qartë. Virgjëresha nuk është aspak naive. Qartësia e mendimit të saj do ta kuptojë në moment një gënjeshtër të përpunuar dhe të mbushur me fjalë të bukura, ashtu siç do të dallojë direkt edhe shenjën me të lehtë të buzëkuqit në jakën e këmishës.
Kjo vajzë ka një bllokim mendor kur është fjala për të pranuar se ka gabuar, kështu që do të jeni aq të zgjuar sa ta merrni përsipër fajin menjëherë. Shumicën e kohës, do të ketë të drejtë, sado frustruese mund të jetë kjo gjë. Pra, pse ta luftoni atë? Kur të kthehet në gjendjen e saj normale, atë të çiltër dhe pa nerva, do t’ju japë një kënaqësi të tillë, sa nuk do të ketë më rëndësi se kush humbi dhe kush fitoi.
Nëse arrini ta duroni egon mashkullore të lënduar, atëherë mund të përfitoni nga këshillat e saj financiare, ose ta lini të merret me buxhetin. Ajo është e mprehtë, e saktë, praktike dhe e aftë për të kapur edhe gabimin më të vogël, që ndoshta edhe një ekonomist mund të mos e dallojë.
Ju këshilloj që të kujdeseni fjalorin dhe të tregoni një sjellje të përshtashme, kur të dilni në takim me një vajzë të shenjës së Virgjëreshës. Ajo nuk mund ta tolerojë gjuhën e pahijshme dhe sharjet apo t’ju shohë ndërsa provoni supën pa sjelljen e duhur në tavolinë. Mos flisni ndërsa jeni duke ngrënë apo të përtypeni me zhurmë para saj. Praktikisht, është sfidë që të hani me delikatesë para Virgjëreshës. Edhe përsa i përket veshjes, do kaloni sërish në skanerin e inspektimit. Pasi të filloni një lidhje dashurie me një grua Virgjëreshë, duhet të përgatiteni që të jeni gjithnjë të hekurosur dhe gati për të shkëlqyer.
Gjykimi është një nga fjalët kyçe. Ajo e pëlqen artin dramatik, koncertet dhe librat, por është një kritike e ashpër e përmbajtjes së çdo vepre. Është po kaq kritike edhe për mënyrën se si e lidhni kollaren dhe si i mbani flokët, apo për atë që bëni dhe atë që thoni. Për të, të kritikojë është po aq e natyrshme sa është për ju të merrni frymë.
Virgjëresha është perfeksioniste e përjetshme dhe pa të, ne të gjithë do të ishim “rrëmujë dhe të çorganizuar”. Gjithsesi, nuk duhet ta kritikoni atë në asnjë lloj mënyrë. Kjo është kundër rregullave. Përfundimisht, rregulli i artë nuk aplikohet këtu. Atë që bën me ju, mirë është që të mos ia bëni asaj, sepse ajo është në dijeni të të metave që ka, siç është edhe për defektet tuaja - dhe e gjykon veten shumë shpesh dhe mjaft ashpër, prandaj për këtë arsye, mendon se nuk ka nevojë që të tjerët t’i tregojnë të metat. Në këtë rast, është shumë e vërtetë shprehja se është “kritiku më i ashpër i vetes”.
Një nga gjërat më të bukura e të qenit në një lidhje dashurie me këtë grua është se ajo do të merret me të gjitha gjërat që ju shqetësojnë, madje do ta bëjë me kënaqësi këtë gjë. Do t’ju lejojë ta shijoni faktin e të qenit burrë praktik në çdo moment.
Sa për çështjen e besnikërisë, mund të dëgjoni ndonjë rast të rrallë për një grua të shenjës së Virgjëreshës, që për arsyet e saj të panjohura, ka vendosur të tradhtojë në formë hakmarrje. Gratë e kësaj shenje, që gjatë jetës shkelin edhe në rrugën e mungesës së besnikërisë, janë aq të zgjuara sa ta mbulojnë këtë sekret, por sigurisht që ka edhe përjashtime.
Ato kanë zemër më të ngrohtë sesa mendojnë njerëzit dhe emocione të forta, ndonëse nuk kanë zakon që t’i manifestojnë ato me bujë. Natyra emocionale e Virgjëreshave është e kontrolluar, por nuk është joekzistente. Mos e harroni këtë!
Vajza e shenjës së Virgjëreshës është gërnjare në lidhje më gjërat e vogla dhe përpikmërinë, por ajo gjithashtu mund të jetë krijesa më bujare dhe më e dashur në botë. Konsiderojeni perfeksionizmin e saj një virtyt, jo një ves. Me gjithë këtë impulsitet të përhapur në botë, çfarë do të bënim ne pa sytë dhe mendjen e mprehtë të Virgjëreshës? Edhe pse ajo ju irriton me mënyrat e saj kritike, ka një cilësi pozitive që e bën të parezistueshme.
Mënyrat modeste dhe të buta të sjelljes, si dhe sytë me vështrimin e qartë, e kanë bërë punën e tyre më së miri. Ju ndoshta keni zbuluar edhe se sa gazmore është ajo dhe se çfarë mendje e zgjuar ndodhet brenda asaj koke që nuk resht së menduari.
Ajo nuk ka asnjë iluzion, kështu që mos u përpiqni t’i shisni ndonjë ide të rreme. Për të, e vërteta është bukuria - dhe bukuria është e vërteta. Mësohuni me zakonin e saj për të zbrazur tavllën e duhanit çdo tre sekonda, silluni mirë me kotelet e saj (ose qenushët) dhe ajo do të jetë e lumtur.
Ajo do të ndajë emocionet dhe mendimet e saj me shumë pak njerëz, vetëm me ata që ka besim dhe shumë pak gjëra kanë vlerë të madhe për të. Me gjithë natyrën modeste dhe të ndrojtur, ajo është mjaft e fortë për t’u dhënë të tjerëve një strehë, kur retë e errëta mblidhen mbi kokën e tyre. Guximi dhe ndjenja e thellë e përgjegjësisë te gratë e Virgjëreshës shpesh vepron si një forcë magjike për të mbledhur familjet e mëdha së bashku. Ajo ndoshta do të jetë një kuzhiniere e mirë, shtëpia e saj është gjithnjë e pastër dhe e rehatshme dhe sigurisht, shumë mikpritëse.
Shpesh mund ta gjeni shtëpinë e saj të mbushur me një aromë fantastike - një përzierje e aromës së luleve të freskëta dhe gatimeve plot shije. Është një kënaqësi e vërtetë të vish pas një dite të lodhshme në një shtëpi si kjo.
- Përshkrimi i mësipërm është bërë nga astrologia Linda Goodman. Mary Alice Kemery e njohur ndryshe dhe si Linda Goodman, lindi në 9 prill 1925 dhe ndërroi në moshën 70 vjeçare, në 21 tetor 1995. Ajo ka qënë e para astrologe në listën best seller të Neë York Times. Libri i saj Linda Goodman’s Sun Signs ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm dhe u pasua më vonë nga Linda Goodman’s Love Signs (1978) që gjithashtu u fut në listën e librave më të shitur nga New York Times, duke vendosur një rekord në këtë industri: 2.3 milionë dollarë për të drejtat e autorit.
- Publikuar për herë të parë në korrik të vitit 2014/ ndalohet kategorikisht ribotimi.