Urime 1 muaj Big Brother! Po ndihemi pak nostalgjikë që tani, ama me debatet e forta që bëhen aty brenda, është shumë e thjeshtë të vish në vete nga gjithë ndjenjat e mallit që mund të ndjesh. Siç e do zakoni, ja gjithë ç’ndodhi mbrëmë, të vendosura në rend kronologjik:
#1. Bëhen prapë armiq Gerti me Laertin
Të kujtohet kur Gerti tha në fillim se e kishte lënë pas çdo armiqësi që kishte pasur dikur me Laertin? Epo, duhet të mësohesh me njerëz që na gënjejnë brenda këtij Big Brother-i tani. Ca mund të thonë se Gerti pati një shpërthim thjesht sepse pa që s’po merrte vëmendje në ndonjë tjetër mënyrë dhe ne po zgjedhim të biem dakord me këtë mendim.
Për të gjithë artdashësit, mund të gjeni pak teatër midis dy aktorëve që duket se e kanë shumë të vështirë të flasin si ne njerëzit e thjeshtë. Ajo që të lë përshtypje, është se si në çdo debat ke dhe Rozanën diku vërdallë që përfshihet, kësaj radhe me pakënaqësitë e saj ndaj Gertit si lider, dhe këtë të fundit që kujtohet se Rozana Radin e ka armike të përbetuar brenda shtëpisë.
Gjithashtu Laerti, duke vërtetuar që është një Peshk i vërtetë, pësoi dhe dje në shpërthim emocional që pasoi në lot për shkak të një risjellje (rrahjeje) të së shkuarës nga Gerti, brenda shtëpisë. Kemi shumë banorë të ngecur tek e shkuara këtë vit mesa duket!
#2. Debati Egli-Xumi
Nëse ka një njeri që e vlerëson besën e shqiptarit më shumë se kushdo, na qenka pikërisht Xumi. I autorizuar për të kapur çdo shenjë pabesie, radari i Xumit u fiksua me Eglin kësaj radhe, vajzën që adhuronte deri para pak ditësh.
Në edicionin e djemve që përloten, i bashkohet dhe Xumi Laertit. I tensionuar prej nominimit të Eglit, ishte e pritshme që të tjera gjëra të dilnin në sipërfaqe në mënyrë që të sigurohej qëndrimi brenda shtëpisë. Meqë ky "Big Brother" i përket dhe akteve sublime, dy banorët u betuan dhe se në rast se njëri prej tyre do të fitonte çmimin e madh, 60% e çmimit do të shkonte për prindin e tjetrit.
#3. Debati Egli-Gerta
Shpallim dhe debatin më të fortë të natës për këtë episod të dhjetë të Big-ut. Ndonëse ca sherre aty brenda duket se nisin sa për të mos mbetur bosh prime-i, situata e djeshme u përshkallëzua në një shpërthim të Eglit, së cilës iu soll ndër mend padrejtësisht sipas saj, episodi i saj me vuajtjet e sulmeve të panikut nga Gerta.
Nga ana tjetër duket se problemi i Gertës me Eglin qëndron në faktin se kjo e fundit është më e lidhur se ç’duhet me Gjestin dhe se loja e saj ka nisur vetëm me hyrjen e tij. Hmm, të thamë që s’na bëjnë shumë sens këto debate që mund të shmangen lehtësisht.
Mos harro se kemi Amberin ama, që duhet të bëhet opinionistja e tretë e Big-ut për këtë vit, që na sqaroi si ngaherë, se vajzat po zihen pikërisht për Gjestin dhe Egli në atë mes duhet të quhet Helena e Trojës.
#4. Dëshmo pak dhe ti që e humbe këtë super moment ndërkohë:
View this post on Instagram
#5. Jepet linja e jetës së Valbonës
Siç e kemi thënë, historitë e trishta që tregohen zakonisht në linjat e jetës, i gjen të detajuara në artikuj më vete, për t’u dhënë rëndësinë e duhur, meqënëse kjo përmbledhje përmban nota humori. Dhe historia e Valbonës, pak të thuash që na bëri të gjithëve të prekemi mbrëmë.
#6. !Trekëndësh i ri në shtëpi!: Valbona-Laerti-Danja
Pasi thamë lotët, u rikthehemi debateve! Nëse Valbona e kishte të qartë më parë se “Laerti është Laerti”, kësaj radhe ajo u shfaq në pikëpyetje të vlefshmërisë së kësaj fraze. S’e dimë sa vlen të konsiderohet kjo dinamikë "trekëndësh" pasi Danja është lumturisht në një marrëdhënie jashtë shtëpisë dhe Laerti shprehu se s’po bën gjë tjetër veçse po tregohet i sjellshëm ndaj saj.
Megjithatë, Valbona që mohon të ketë një shoqëri nga jashtë me Danjën, në kundërshti të asaj që thotë Danja, tha se shikon një ndërhyrje të saj mes marrëdhënies që ka Valbona me Laertin dhe G Banin. Ajo që të bie në sy midis këtij debati, është se na mungojnë njerëz kaq elegantë sa Danja, si në dukje ashtu edhe në sjellje. Sa për Valbonën, siç tha dhe Neda, bën mirë t’i lërë telenovelat e trekëndëshit sepse mund të krijojë mjaft situata duke u treguar dhe e pavarur.
#7. Lë shtëpinë Xumi
Siç rezultoi dhe sondazhi i Anabel, dje qe Xumi ai që la shtëpinë përfundimisht. Nëse po vret mendjen a u takua me Eglin në fund apo jo, të themi se patën një përqafim të ngrohtë midis tyre, sikur të kishin harruar gjithë meselenë e para pak minutave.
Duke e dëshmuar më rrallë nga ç’pritej, Xumi u shpreh në fund me humor se do të donte që ta fitonte Egli këtë "Big", në mënyrë që të merrte përqindjen e çmimit të premtuar prej saj.
#8. Dalin 5 veta në televotim
Me shumicë nominimesh, dalin në televotim deri të shtunën Gerti, Bernardi, Jozi, Klajdi dhe Gerta që është e përhershme në televotim. Pyetja është “Kë doni të shpëtoni?” dhe njëri prej tyre duhet të dalë përfundimisht të shtunën. Ndërkohë, mezi presim të ritakohemi deri atëherë. :)
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.