Bota

Ndarja nga jeta e Papa Françeskut: Si zgjidhet Papa i ardhshëm?

Shkruar nga Anabel

21 Prill 2025

Ndarja nga jeta e Papa Françeskut: Si zgjidhet Papa i ardhshëm?
Getty

Papa Françesku ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Ai dha frymën e fundit të hënën e Pashkëve, 21 prill, në moshën 88-vjeçare, në rezidencën e tij në Casa Santa Marta të Vatikanit.

Por, nëse jeni kuriozë të dini se si do të zgjidhet Papa i ri, ta tregojmë ne!

Papa i ardhshëm do të zgjidhet nga Kolegji i Kardinalëve, figurat më të larta të Kishës Katolike të emëruara nga pontifi, të cilët do të nisen drejt Romës në ditët në vijim për të zhvilluar konklavën. (Emri vjen nga latinishtja “cum clave”, që do të thotë “me çelës”, duke treguar procesin e mbyllur të zgjedhjes së Papës së ri).

Mbi 220 kardinalë nga mbi 70 vende marrin pjesë në konklave, por vetëm rreth 120 prej tyre janë kardinalë votues (ata mbi moshën 80 vjeç përjashtohen). Dy të tretat e kardinalëve votues janë zgjedhur nga i ndjeri Papa Françesku gjatë 10 viteve të fundit dhe pasqyrojnë në masë të madhe vizionin e tij për një kishë më gjithëpërfshirëse.

Ndarja nga jeta e Papa Françeskut: Si zgjidhet Papa i ardhshëm?
Getty

Pasi kardinalët mblidhen në Romë, zakonisht 15-20 ditë pas vdekjes së Papës, ata takohen në Kapelën Sistine për të filluar diskutimet e tyre. Pas shpalljes së fjalëve “extra omnes” – “të gjithë jashtë” – që i referohen të gjithë të tjerëve përveç kardinalëve votues dhe një pakice zyrtarësh dhe mjekësh, dyert mbyllen.

Kardinalët betohen për sekret të plotë dhe nuk lejohen të kenë asnjë kontakt me botën e jashtme gjatë gjithë procesit të zgjedhjes. Telefonat u hiqen dhe nuk lejohet asnjë gazetë, televizion, letër apo mesazh. Kapela kontrollohet gjithashtu për pajisje përgjimi përpara dhe gjatë konklavës.

Konklava nis me një meshë solemne, pas së cilës nisin diskutimet dhe votimet. Votimet zhvillohen çdo ditë, paradite dhe pasdite, derisa një kandidat të fitojë një shumicë prej dy të tretash. Pas çdo shtatë raundesh votimi, jepet një ditë pushimi për lutje dhe reflektim.

Nëse pas 30 votimeve nuk ka ende një rezultat përfundimtar, atëherë Papa zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Konklava më e gjatë papnore në historinë e kohëve të fundit ishte në vitin 1922, kur kardinalëve iu deshën pesë ditë për të zgjedhur udhëheqësin e ri.

Çdo burrë i pagëzuar mund të zgjidhet si Papë, megjithëse zakonisht zgjidhet një kardinal në detyrë. Çdo votues merr një fletëvotimi me fjalët “Eligo in summum pontificem” - (“zgjedh si Papë suprem”). Ata shkruajnë emrin e kandidatit të tyre të preferuar, palosin fletën dhe e hedhin në një kuti.

Votimi është sekret, por kjo nuk do të thotë që procesi është imun ndaj aferave, intrigave dhe lobimit.

Pas çdo raundi votimi, fletët e votimit digjen. Shtohen kimikate për të prodhuar tym të zi ose të bardhë. Tym i zi që del nga oxhaku  tregon se votimi ishte pa rezultat; tym i bardhë njofton botën se është zgjedhur një Papë i ri.

Kandidati fitues pyetet nëse pranon zgjedhjen. Kardinalët betohen për bindje ndaj Papës së ri, i cili shoqërohet në “Dhomën e Lotëve” për t’u veshur me një rrobë dhe një kapuç të bardhë, si dhe shapka të kuqe. Tre sete veshjesh në madhësi të ndryshme përgatiten më parë nga rrobaqepësit e Vatikanit.

Më pas, kardinalët dalin në ballkonin kryesor të bazilikës së Shën Pjetrit, përpara të cilit do të jenë mbledhur mijëra besimtarë katolikë dhe turistë të shumtë. Ata shprehehen: “Annuntio vobis gaudium magnum: Habemus papam” – “Shpallim me gëzim të madh: Kemi (zgjedhur) një Papë.”

Artikuj të sugjeruar:

Burimi: The Guardian