Gjirokastra është tronditur sërish, pasi një 17-vjeçar është gjetur i vetëvarur nga familja e tij. Ai ishte nxënës në gjimnazin “Siri Shapllo”, i njëjti gjimnaz ku studionte edhe e ndjera Irsa Muçollari. Shkak për vetëvrasjen e 17-vjeçarit mësohet se është bërë bullizmi.
Çfarë dihet deri tani?
Sipas mediave të ndryshme, 17-vjeçari me nistoret V.H, është gjetur i vetëvarur nga familja, pasi ka kremtuar Pashkët. Ai është ngjitur në katin e dytë të banesës dhe ka kryer aktin e vetëflijimit. Mësohet se djali jetonte me motrat dhe nënën, pasi i ati ishte emigrant.
Dyshohet se 17-vjeçari e ka planifikuar dhe thënë se do të vetëflijohej më 20 prill, duke u shprehur se “do të shkonte te Zoti në ditën e Pashkëve”, por nuk është marrë seriozisht nga bashkëmoshatarët.
Nga intervistat që janë bërë me studentë të tjerë të shkollës, i ndjeri kishte rezultate të mira në mësime dhe se nuk e priste askush që ai të kryente një akt të tillë. Nxënësi është trajtuar dhe ndjekur edhe nga psikologia e gjimnazit, e cila ka dëshmuar në polici.
Dy vetëvrasje nga i njëjti gjimnaz
Vetëvrasja e 17-vjeçarit vjen thuajse 2 muaj pasi Irsa Muçollari i dha fund jetës. Ajo, gjithashtu u gjet e vetëvarur në banesën e saj. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të spitalit të Gjirokastrës, ajo nuk arriti të mbijetonte.
Të dy bashkëmoshatarët mendohet se i kanë dhënë fund jetës për shkak të bullizmit të vazhdueshëm nga studentët e tjerë në shkollë. Irsa njihej si një vajzë e qetë me rezultate të mira. Megjithatë, mësuesit dhe shokët e klasës thonë se ditët e fundit ajo nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim të dukshëm.
Ajo la pas një letër vetëvrasjeje, ku shprehte ndjesitë e saj:
"O Zot, përse po vuaj kështu vallë? Unë jam kjo që jam dhe miqtë dhe shokët kërkoj të më respektojnë. Por ata tallen me mua. Unë ndihem kaq e vetmuar dhe e mbytur në vetminë time. Nuk më vjen turp për veshjen time. Kaq mundësi kanë prindërit e mi, babai im që kujdeset aq shumë për mua aq sa dhe mamaja. Po përse u dashka të jem kaq e veçuar? Ku të ankohem? Kujt t’i drejtohem? Kujt t’ia hap zemrën time? Tek askush nuk kam besim. Madje as tek psikologia, ndonëse jam hapur. Pse u dashka të vuaj? Vallë kjo është jeta?”
Afërmendsh, e gjithë situata nuk është normale dhe duhen marrë masa të menjëhershme! Dy adoleshentë i kanë dhënë fund jetës për shkak të një prej plagëve më të zakonshme dhe çuditërisht, më të injoruara nëpër shkolla: Bullizmit. Normalisht, na bën të mendojmë dhe reflektojmë së pari, mbi empatinë dhe së dyti, mbi mosmarrjen e masave nga ana e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave. Gjithashtu, roli i psikologës mbetet i diskutueshëm. Situata është kaotike, e tmerrshme dhe duhet të ngrihen këmbana alarmi për mënyrën e trajtimit të studenteve nëpër shkollat shqiptare!
Qëndrimet mbi të tilla raste, për fat të keq, shpeshherë mund të jenë edhe të kundërta nga ato që ne mendojmë zakonisht. Andale Media ka bërë rreth 2 muaj më parë një intervistë me studentët e gjimnazit, të cilët kanë pasur një reagim aspak empatik ndaj ngjarjes.
Artikuj të sugjeruar: