
Në ndryshim nga spektaklet shqiptare, në ato të huajat si "Love Island Usa", gjuha e dhunshme dhe raciste është e patolerueshme, edhe nëse zbulohet se e ke përdorur para se të bëheshe pjesë e reality-t. Ja çfarë ndodhi me Cierra Ortega-n, një prej konkurrenteve të sezonit të shtatë.
Në mes të sezonit, një rifreskim i imazheve të së kaluarës së Cierra-s zbuloi një story në Instagram (i vitit 2024) ku ajo përdorte një term racist ndaj komunitetit aziatik, një shprehje që në SHBA konsiderohet tejet ofenduese për këtë komunitet.
Ky postim u risoll nga fansat, duke ndezur menjëherë reagimin e rrjetit. Në të, Cierra tregonte se pse botox-i për të ishte zgjidhje ideale pasi ka një fytyrë që bën shumë mimika. Më tej, ajo shtoi se kur qesh, fytyra e saj ka tendencën t'i përngjajë asaj të një personi aziatik, moment ku ajo përdori termin "ch*nk", i cili është tallës ndaj komunitetit aziatik për tiparet e tyre të fytyrës, sytë e vegjël dhe fytyrën e gjerë.
Rrjeti vërshoi nga kritikat dhe vendimi nuk vonoi, ajo u përjashtua nga "Love Island USA", për shkak të asaj që u etiketua si një “situatë personale”. Pa dyshim, postimi me termin racist ishte shkaku i vërtetë. Ajo u përjashtua vetëm pak ditë para finales, duke lënë partnerin e saj, Nic, të vetëm në vilë.
Pse bëri kaq bujë të madhe?
Ky nuk është rasti i parë këtë sezon. Pak javë më parë, një tjetër pjesëmarrëse, Yulissa Escobar, u hoq për fjalë raciste që u zbuluan nga e kaluara e saj. Mediat amerikane po e cilësojnë këtë sezon si atë të "skandaleve raciste” në Love Island.
Në një kontekst ku Amerika përballet me rritjen e urrejtjes ndaj aziatikëve, reagimi publik ishte i ashpër. Komuniteti i përmendur, fansat e reality-t, e madje edhe pjesëmarrës të tjerë, reaguan me kritika. Përfshirë Belle-A Walker, ish-pjesëmarrëse aziatiko-amerikane, që bëri një koment mbi situatën:
“Shpresoj që ky rast të ndihmojë të gjithë të kuptojnë se sa problem është urrejtja ndaj aziatikëve.”
Kërkesa e faljes
Cierra u kthye menjëherë në SHBA dhe më 9 korrik publikoi një video afërsisht pesë-minutëshe, që vetë e përshkroi si një video ku mbante përgjegjësi për veprimin e saj. Ajo tha:
“Jam thellësisht, sinqerisht dhe me gjithë zemër shumë e penduar. Nuk kisha asnjë ide që ajo fjalë mbante kaq shumë dhimbje. Qëllimi nuk e justifikon injorancën.”
View this post on Instagram
Ajo theksoi më tej se mbështet vendimin e produksionit për largimin e saj dhe i konsideroi lajmet kritikuese si një pasojë e justifikueshme ndaj shembullit të saj të keq.
Por ndërkohë, situata nuk është qetësuar, familja e saj, sipas Cierra-s, ka marrë kërcënime të njëpasnjëshme, ndaj ajo i kërkoi publikut të mos vazhdojë të përpiqet të ndalojë urrejtjen me urrejtje.
Në fund, situata na bën të reflektojmë për mënyrën se si përballohet në vendin tonë çdo veprim apo përdorim i gjuhës së dhunshme në reality-t dhe ekranet tona televizive në përgjithësi.