
Brooklyn po sigurohet që marrëdhëniet mes tij dhe familjarëve, veçanërisht prindërve, të shkëputen një herë e mirë. Të paktën këtë tregoi veprimi i fundit i tij. Tatuazhi që kishte në krahun e djathtë, një spirancë që më parë kishte në qendër fjalën “DAD” me shkronja të mëdha, nuk ndodhet më.

Fotot e reja të siguruara nga The Sun tregojnë Brooklyn-in duke shëtitur në Los Angeles me bashkëshorten e tij, Nicola Peltz, dhe mbishkrimi duket se është mbuluar me një dizajn të ri që përfshin një yll deti dhe dy mjete shpëtimi. Një burim i tha The Sun se Brooklyn ka përdorur trajtim me lazer për të ndryshuar tatuazhin që dikur i dedikohej të atit.
“Ai donte ta hiqte,” tha burimi.


Sipas të njëjtit burim, kjo nuk ka qenë ndërhyrja e vetme. Brooklyn ka zëvendësuar edhe një tatuazh tjetër në kraharor, të dedikuar për nënën e tij, Victoria Beckham.
“Është e dhimbshme të shohësh Brooklyn-in të mbulojë tatuazhin për Victorian dhe tani edhe atë për babanë. Duket shumë mizore dhe vetëm e përkeqëson situatën.”

Konflikti brenda familjes Beckham u përshkallëzua muajin e kaluar, pasi Brooklyn publikoi një deklaratë të ashpër në Instagram, ku sulmonte hapur prindërit e tij. Edhe pse kanë kaluar javë që prej rrëfimit dhe asnjëra prej palëve nuk ka vendosur të reagojë më publikisht, përmes veprimeve të fundit Brooklyn po sigurohet që të gjithë ta marrin një përgjigje. Përveç mbiemrit, po fshin çdo gjurmë të familjarëve nga jeta e tij.










