
Pak kohë më parë në Paris i hapi dyert një koncepti të ri të jetës së natës franceze: Diva Paris, klubi i parë i natës ekskluzivisht për gra. I krijuar nga tre gra që donin një hapësirë të sigurt, të gëzueshme dhe pa ngacmime apo paragjykime, klubi tashmë është bërë fenomen dhe mbushet plot çdo javë.
Për një çmim prej 45 eurosh, pjesëmarrëset përfitojnë ushqim, një bar të hapur me pije alkoolike dhe joalkoolike, si dhe tre orë kërcim pa ndërprerje, e gjitha në një ambient ku ndihen të lira dhe të pa gjykuara.
“Na duhej një natë vetëm për vete, një shkëputje nga puna, prindërimi, dhe rutina e përditshme. Na duhej të kërcenim pa ndjesinë e presionit për të pëlqyer dikë apo për të bërë përshtypje, dhe të ktheheshim në shtëpi në një orar të arsyeshëm, pa frikë,” – tha Constance d’Amécourt, një nga themelueset.
Ajo, së bashku me mikeshat Lucie de Gourcuff dhe Constance Fabry-Damour, e krijuan Diva Paris me qëllimin që gratë të mund ta “lënë problemet jashtë derës dhe të shijojnë disa orë në pistën e kërcimit.”
View this post on Instagram
Ky koncept erdhi si përgjigje ndaj rritjes shqetësuese të incidenteve në klubet e natës në Francë dhe Angli. Në këtë klimë pasigurie, shumë gra zgjedhin të mos dalin më në qendër të qytetit për t’u argëtuar, por rrinë në shtëpi.
Klubi, i vendosur në Paris, mirëpret gra nga të gjitha zonat, nga periferitë në qendër, të veshura herë me rroba elegante, herë me veshje më të thjeshta. Të gjitha bashkohen për një mbrëmje kërcimi dhe relaksi.
Edhe pse Diva Paris nuk është klubi i parë i natës vetëm për gra (i pari besohet të jetë hapur në Londër në vitin 2019), ai është pjesë e një lëvizjeje gjithnjë në rritje në të gjithë Europën dhe SHBA-në.
View this post on Instagram
“Mama Geht Tanzen” organizon evente të ngjashme në Gjermani, Zvicër dhe Austri, ndërsa në Britani dhe Amerikë po fitojnë popullaritet klube si “Mums That Rave” (krijuar nga DJ dhe producentja Nikki Beatnik) dhe “Earlybirds Club” në SHBA. Në Hjuston, brenda hotelit C. Baldëin, ekziston madje një lokal sekret vetëm për gra, ndërsa në Portland, Oregon, organizohet një festë vjetore ekskluzive për nënat.
Kjo rrymë e re argëtimi është pjesë e fenomenit të quajtur “soft clubbing”, një alternativë më e qetë dhe më e shëndetshme ndaj jetës së natës tradicionale. Festa që zgjasin deri në mesnatë, më pak alkool dhe më shumë fokus te lidhja sociale, muzika dhe mirëqenia.
Duket se e ardhmja e argëtimit për gratë është më e sigurt, më përfshirëse dhe shumë më argëtuese.
View this post on Instagram