
"Para 4 vitesh as që e kërkoja dashurinë. Sinqerisht, në atë pikë, më dukej një lodhje e kotë. 36 vjeç, një sërë lidhjesh që më kishin lënë më bosh sa isha kur i nisa, dhe më ishte krijuar ideja që dashuria thjesht “nuk ishte e shkruar për mua”. Kisha filluar ta shihja jetën time ndryshe: do bëja udhëtime me gocat, do pija verë të bardhë pas pune, dhe në shtëpi do më priste një mace dhe qetësia. S’doja më asnjë! lloj! drame!
Deri kur një ditë, e uritur dhe pa humor, hyra në një fast food për një hamburger. Dhe e kuptuat tanimë që ai ishte aty. I ri, me ca tatuazhe, zë i thellë. Kuptohej menjëherë që ishte shumë i ri. E ndjeva. Një zë "Po ai ka moshën e djalit tënd mi goc'!" më rrihte në kokë. (S'kam djalë, se mos keqkuptohemi.)
Por më pas, doni ju që po më pëlqenin shumë hamburgerët hahaha. Flirt i vogël, shikime, dhe patjetër, më gjeti në Instagram, më shkroi, më komplimentoi diku. E lashë të më shkruante, kot për sport. Kur më tha që ishte 21 vjeç pastaj, u sikletosa, po dhe u mëzita shumë të jem e sinqertë. “S'ka shanse për ne të dy” mendova. “Shpirtrat nuk kanë moshë,” tha ai me çiltërsinë e vet. “Po mirë,” i thashë, “po trupat kanë.”
Por patjetër, e takova. Dhe u mbarua puna. Një gotë verë, një puthje dhe pastaj s’kishte më kthim pas. Në fillim e mora si eksperiencë, një aventurë që s’do zgjaste mendoja. Katër vjet më vonë, ai është akoma këtu mi gra!
Do më gjykoni, po ai vërtet më mësoi dashurinë, një formë tjetër të saj të paktën. Më mësoi që dashuria është dhe ajo zënka në tre të mëngjesit për diçka pa kuptim. Është dhe kur s’të flet për dy ditë sepse e ke tepruar, dhe ti e di që ke faj. Është kur ai të përqafon edhe pse i ke folur me ton të keq, dhe s’të bën të ndihesh “fajtore” gjithsesi. Lind pyetja, a s'ishte pak vonë për mua që të mësoja këtë lloj dashurie? Po pikërisht pra, ia kisha ndaluar vetes për kaq vite këto llastime sepse mendoja se isha tepër "e pjekur". Një budallaçkë.
Ai është i ri, po shumë burrë. Dhe unë s'jam aq e vjetër fundja. :p Ai ka inate, ka atë humorin e çuditshëm të moshatarëve të vet, herë-herë më duket pak i varur nga TikTok-u, dhe s’i njeh shumicën e këngëtarëve të mi të preferuar, po çuditërisht ne funksionojmë! Shumë mirë madje.
Kam frikë nga plakja, e pranoj. Kur shoh ato që, krahasimisht me të, mund të konsiderohen "difektet" e mia, të vlerësohen me lehtësinë më të madhe prej tij, them “E po, le të më dojë një djalë i ri, dreqi ta hajë, s’është fundi i botës.”
Unë s’jam ndonjë romantike e pashpresë, por për herë të parë ndiej që jam aty ku duhet. Jo në përralla, nuk po deliroj, po jam në të vërtetën time. Habiten mikeshat kur ua them po me këtë "dashnorin" 16 vite më të ri, unë u rrita, u poqa. Isha shumë e papjekur. Një bukurosh, sot 25 vjeç, më bëri ta pranoj dashurinë ashtu si vjen, pa plan, pa logjikë, pa “çfarë do thonë njerëzit”.
Ai më thotë “ti je gjithçka që dua”, unë i them “prit të shohim sa do të duash kur të më shtohen dhe ca rrudha të tjera". Qeshim. Pastaj më puth, dhe gjithë filozofia ime shkon dëm. Mund t'ju duket si roitje e një 40-vjeçareje të tërbuar, po nëse ndihet kështu kjo diagnoza që ma shprehin si me, si pa fjalë dhe njerëzit e mi të dashur, më besoni, na duhen më shumë njerëz të tërbuar në këtë vend. Ju puth. <3" - shkruar nga një grua anonime për Anabel, për rubrikën "Mes nesh".
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.




