
"Doja ta filloja me një “përshëndetje”, por sinqerisht, sot nuk më mbetet më asgjë tjetër përveç një shfryrjeje të thellë prej nervave që më kanë ardhur në majë të hundës. Pse? Sepse vjehrra më është bërë si ndonjë episod i një seriali që s'e ke zgjedhur vetë që përsëritet e përsëritet.
Pasi u martova, isha gati ta ndërtonim jetën tonë bashkë, me streset, gëzimet, gjithë çfarë sjell jeta. E poooo, gabim! Vjehrra ime ka një talent natyror për të qenë gjithmonë aty ku nuk ka ftesë: duke kontrolluar çdo gjë që bëj, duke folur për mua pas shpine dhe duke tentuar t’i marrë çdo sekondë të kohës burrit tim.
Dhe është e fiksuar me të, ju betohem. Jo në një mënyrë të lezetshme, jo, ajo kujton se ai i përket asaj përgjithmonë "se një bir ka nëna". Unë do shkalloj, çdo plan që bëjmë bashkë, çdo darkë apo pushim, është një mundësi për të na “testuar” ajo besnikërinë. Dhe kur nuk i shkon sipas qejfit asaj, na krijon drama në nivele telenovelash turke.
Flet me burrin tim për mua pas shpine, e manipulon, më kritikon, çdo ditë nga një shfaqje e re. Dhe kur mundohem të flas direkt, shikon si t’i kem bërë një krim kombëtar. Për më tepër, shpesh më bën të ndjehem si “e huaja” në martesën time, edhe pse nuk jam unë ajo që u martua me të.
Po të kisha një lekë për çdo herë që ka tentuar të na ndajë, do kisha hapur një spa në Tiranë me fitimet hahaha. Dhe mos harrojmë: ajo nuk harron asnjë detaj për të më kritikuar, që nga ushqimi që gatuaj unë, te mënyra si vendos mbathjet e burrit tim në dollap. Çdo gjë është e gabuar. Çdo gjë!
Por ja ç’po kuptoj unë për vete, i gjithë ky fiksim i saj tregon vetëm një gjë, ajo është e pasigurt, pikë. Në fund, unë jam gruaja e burrit tim, dhe ai ka zgjedhur të më japë dashurinë e tij, jo asaj që mendon se “e di më mirë” gjithmonë.
Pra, vjehrra ime e dashur, faleminderit për dramat, stresin dhe komentet pas shpine. Më ke dhënë arsye të qesh, të reflektoj dhe ta dua martesën time edhe më shumë, dhe po, do vazhdoj të bëj gjithçka që dua, pa pyetur për konfirmimin tënd të përjetshëm.
Nga një grua që s'i mban më ujë pilafiiii,
Faleminderit Anabel." - shkruar nga një grua anonime për Anabel, për rubrikën "Mes nesh".
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.




