
Ç’ndodh kur një libër i shkruar në më shumë se një shekull më parë, vazhdon të na prekë zemrën si të jetë shkruar sot? Kur fjalët e tij duken më të vërteta se realiteti dhe personazhet më të afërta se miqtë tanë? “Gra të vogla”, kryevepra e Louisa May Alcott, është një prej atyre historive që nuk plaket kurrë.
Romani, që është rikthyer me një botim të ri nga botimet “Living”, ndjek jetën e katër motrave Març: e matura Megi, e guximshmja Xhoi, e ëmbla Beti dhe ëndërrimtarja Emi, teksa rriten në Amerikën e Luftës Civile. Mes varfërisë, mungesës së të atit që ndodhet në luftë, dhe sfidave të përditshme, ato gjejnë forcë në dashurinë për njëra-tjetrën, në ëndrrat e veçanta dhe në dëshirën për të qenë më shumë se ç’pritet nga vajzat e kohës së tyre.
Po më shumë se thjesht personazhe, ato janë pasqyra të brendshme për lexuesit që rriten bashkë me librin. Të gjithëve na ka ndodhur të ndihemi si Xhoi, të përjashtuara, të keqkuptuara, të uritura për më shumë nga ç’na ofron jeta, apo si Emi, asnjëherë të mjaftueshme, e gjithmonë si mundësia e dytë.
Në një shoqëri ku shumë vajza ende rriten mes presioneve për t’u përmbajtur, për të qenë të sjellshme, për të mos ëndërruar e fluturuar shumë larg, “Gra të vogla” bëhet një udhërrëfyes emocional dhe moral. Është një kujtesë se forca qëndron edhe në butësi, se të jetosh me ideale është ende një akt rebelimi, dhe se të shkruarit është një mënyrë për të shpëtuar shpirtin.
“Gra të vogla” nuk është vetëm një histori, por një dhuratë. Një libër që do ta duash sot dhe do t’ia japësh dikujt që do nesër. Sepse disa libra nuk kalojnë kurrë, por vetëm rriten me ne. Dhe falë këtij botimi të ri, ata gjejnë sërish zërin për të prekur një brez të ri lexuesish, që kërkojnë më shumë nga një libër sesa thjesht një histori, por kërkojnë kuptim, dashuri, kujtesë.
Disa fakte interesante për librin dhe autoren
1. Xho Març është një version i vetë autores
Louisa May Alcott e krijoi personazhin e Xhoit si alter egon e saj. Ajo ishte një vajzë e pavarur, që donte të shkruante, e cila e urrente idenë e martesës.
2. Libri u shkrua në vetëm dy muaj
Botuesi i kërkoi të shkruante “diçka për vajzat” dhe autorja, fillimisht pa shumë entuziazëm, shkroi pjesën e parë të romanit në 10 javë, por nuk e priste që do të bëhej aq i suksesshëm.
3. Motrat Març janë frymëzuar nga motrat e autores
4. Romani nuk përfundon ashtu siç donte Alcott
Louisa u detyrua nga lexuesit dhe botuesit të martonte Xhoin në fund të librit, megjithëse e urrente atë ide. Ajo e zgjodhi profesorin si bashkëshortin e duhur, pjesërisht për të shmangur romancat klishe.
5. Ishte një sukses i menjëhershëm
Menjëherë pas botimit në vitin 1868, libri u shit në mënyrë të jashtëzakonshme dhe e nxori autoren nga varfëria.
6. Adaptime filmike të shumta
Ka pasur mbi 7 adaptime filmike, por versioni i Greta Gerwig (2019), me Saoirse Ronan, Florence Pugh dhe Timothée Chalamet, e solli historinë me ndjeshmëri moderne dhe u nominua për 6 çmime Oscar.
8. Libri është përkthyer në mbi 50 gjuhë
Për më shumë se 150 vjet, “Gra të vogla” qenë pjesë e pandashme e librarive dhe bibliotekave, dëshmi e përjetësisë së tij.