Me kalimin e viteve, trupi i një gruaje përballet me ndryshime të shumta – që nga cikli menstrual e deri te menopauza. Por, për fat të keq, shëndeti i grave është më pak i studiuar, krahasuar me atë të burrave. Deri në fillim të viteve ’90, gratë përjashtoheshin nga shumica e studimeve klinike. (Po, vetëm 30 vite më parë!)
Por sot, ekzistojnë specialistë dhe klinika të dedikuara vetëm për shëndetin e grave. Ja 9 gjëra që doktoreshat e shëndetit të gruas thonë se vetë s'do i bënin kurrën e kurrës:
1. Nuk e nënvlerësojnë rëndësinë e lëvizjes.
“Lëviz gjatë gjithë ditës,” – thotë Dr. Priya Freaney, specialiste e shëndetit të zemrës te gratë.
“Nuk ka nevojë për palestër çdo ditë. Edhe pak stretching apo një shëtitje me karrocën e foshnjës ndihmon shumë.”
Dr. Brintha Vasagar shton se, krahasuar me gjeneratat e mëparshme, sot kemi shumë më pak aktivitet fizik. “Zemra është vrasësi numër një për gratë, ndaj çdo lëvizje vlen.”
2. Nuk e neglizhojnë ushqimin.
Dr. Clara Paik ushqehet me sa më shumë produkte të freskëta dhe më pak mish. Dr. Vasagar shmang produktet e përpunuara, ndërsa Dr. Freaney ndjek rregullin 80/20: 80% ushqim i shëndetshëm, 20% për kënaqësi.
“Ajo copë ëmbëlsirë që të sjell lumturi – nuk është ‘mëkat’, por balancë,” thotë Freaney.
3. Nuk i injorojnë “numrat” e trupit.
Tensioni, sheqeri në gjak, kolesteroli, pesha, të gjitha janë shifra që duhet t’i njohësh paraprakisht, jo kur të shfaqet ndonjë problem.
“Më mirë të parandalosh sesa të mjekosh,” – thekson Vasagar. “Sa më herët të dish ku je, aq më shpejt mund të bësh ndryshime që të zgjasin jetën.”
4. Nuk e anashkalojnë rrezikun për sëmundjet e zemrës.
Më shumë gra sesa ç'mendohet vuajnë nga ndonjë formë e sëmundjeve të zemrës – dhe 80% e rasteve mund të parandalohen!
“Zemra nuk të paralajmëron gjithmonë. Simptomat mund të jenë të fshehta për vite,” – thotë doktoresha. “Ndaj, është gjithmonë koha e duhur për t’u kujdesur për shëndetin kardiovaskular.”
5. Nuk përdorin produkte të aromatizuara për zonën intime.
“Mos e bëj kurrë,” thotë prerazi Dr. Paik. “Kremrat, sapunët me aromë – të gjitha prishin florën natyrale të vaginës.”
Ajo shton se uji i zakonshëm mjafton për higjienën intime. “Më shumë kujdes nuk do të thotë më mirë. Në fakt, mund të bëjë më keq.”
6. Nuk harrojnë vitaminat para shtatzënisë.
“Nëse je shtatzënë ose po planifikon të mbetesh, fillo me vitaminat prenatale,” – thotë Dr. Paik.
Ato përmbajnë doza të larta të acidit folik – thelbësor për zhvillimin e shëndetshëm të fetusit dhe parandalimin e deformimeve të shtyllës kurrizore.
7. Nuk neglizhojnë ndërlikimet e shtatzënisë për shëndetin afatgjatë.
Nëse ke pasur preeklampsi apo diabet gestacional, mund të kesh rrezik për sëmundje të zemrës në të ardhmen – edhe nëse të gjitha analizat pas lindjes duken “në rregull”.
“Bëj biseda të hapura me mjekun. Të dish për këtë rrezik mund të të shpëtojë jetën,” – thotë Freaney.
8. Nuk vuajnë në heshtje gjatë perimenopauzës dhe menopauzës.
“Çdo grua e përjeton ndryshe këtë fazë, por nuk është diçka që duhet ta kalosh vetëm apo duke duruar,” – shpjegon Dr. Paik.
Ajo vetë thotë se e kuptoi se kjo është “gjysma e dytë e jetës” dhe nisi të kujdesej më shumë për veten. Ushqimi, aktiviteti fizik dhe trajtimet hormonale mund të ndihmojnë shumë.
“Po mësojmë gjithnjë e më shumë mbi përfitimet e terapisë hormonale – jo vetëm për simptomat, por edhe për shëndetin e zemrës dhe kockave,” shton Vasagar.
9. Nuk e injorojnë ndikimin e menopauzës në zemër.
Menopauza nuk sjell vetëm djersitje nate apo ndryshime humori. Ajo ndikon fuqishëm në sistemin kardiovaskular.
“Kur nivelet e estrogjenit bien, kolesteroli i keq rritet, ai i miri bie. Masa muskulore ulet, yndyra rritet. Dhe zemra është ajo që vuan më shumë,” – shpjegon Dr. Freaney.
Në këtë periudhë, bëhu më e vëmendshme se kurrë ndaj zemrës tënde.
Burimi: Huff Post